Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe, të akuzuar për atentatin ndaj ish-proklurorit Arjan Ndoja janë arrestuar në një operacion të fshehtë policor.
Lajmi u bë i ditur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku gjatë konferëncës për mediat, ku foli për ngjarjen e rëndë në Pogradec, ku 42 vjeçari Egli Proga u dhunua për vdekje nga 29 vjeçari Denis Meçe.
Rrumbullaku bëri me dije se ata janë ekstraduar nga Dubai dhe tashmë ndodhen në bllokun e sigurisë në Drejtorinë e Policisë Tiranë.
Ndër të tjera Rrumbullaku u ndal edhe te lajmi për lirimin e Durim Bamit në Dubai, ku tha se ndaj tij është ndryshuar masa e sigurisë.
Muhamet Rrumbullaku: Policia e Shtetit është partneri më i besueshëm përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar, organizatave kriminale në një bashkëpunim me SPAK dhe të gjithë prokuroritë. Në kuadrin e informacioneve dhe operacioneve të fshehta policore, Policia e Shtetit ka bërë të mundur arrestimin e 2 eksponentëve të krimit të organizuar në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal dhe të organizatave kriminale, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe.
Është kontribut i punës së djemeve dhe vajzave dhe të gjitha strukturave në një nivel kombëtar të Policisë së Shtetit, të departamente respektive, por edhe bashkëpunimit me Emiratet e Bashkuara Arabe për mënyrën e operacionit policor të organizuar nga Policia e Shtetit dhe me mbështetjen 100% të partnerëve tanë të Emirateve të Bashkuara.
Pyetje: Kur pritet ekstradimi i tyre në territorin tonë?
Muhamet Rrumbullaku: Është bërë ekzekutimi i vendimit dhe ata ndodhen pranë dhomave të sigurisë së Drejtorisë së Policisë Tiranë.