Qytetarët protestojnë sërish në aksin Thumanë–Kashar, forca të shumta policie blindojnë zonën

Edhe këtë të martë banorë të Krujës, Fushë Krujës, Thumanës dhe Bubqit kanë dalë në protestë duke bllokuar aksin Thumanë-Kashar, pasi sipas tyre kjo rrugë e re është e paaksesueshme për ta dhe bizneset e tyre.

Forca të shumta policie ndodhen në protestë, ku janë shënuar edhe përplasje me protestuesit.

Këta të fundit kërkojnë hyrje dhe dalje nga autostrada për zonat e tyre, shtëpitë dhe bizneset e tyre ndërsa janë shprehur se po falimentojnë.

Banorët përmes protestave të javëve të fundit kërkojnë që institucionet t’i japin zgjidhje problemit të tyre duke vënë theksin te fakti se mbyllja e aksesit ka dëmtuar rëndë rrugën e vjetër dhe po ndikon negativisht në bizneset e tyre.

Pavarësisht protestave të përsëritura, kërkesat e tyre ende nuk kanë marrë përgjigje nga autoritetet.