Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ngjarjen e rëndë që u regjistrua pak ditë më parë në Pogradec, ku Denis Meçe akuzohet se rrahu për vdekje 42 vjeçarin Egli Proga. Ngjarja, e cila fillimisht u raportua si aksidentale, u zbulua se ishte një vrasje.
Burime për mediat bëjnë me dije se 42 vjeçari u vra për shkak të një gjobe që iu vu nga autori, por që viktima nuk pranoi që ta paguante.
Ka dyshime të forta se Egli Progës i është kërkuar të dorëzojë xhiron ditore të lokalit te grupi i Denis Meçes. Pasi ai ka refuzuar, është dhunuar nga Meçe, derisa si pasojë e goditjeve humbi jetën.
Egli Proga ka qëndruar për 30 minuta i shtrirë në tokë, ndërsa i pranishëm ka qenë një efektiv policie.
Ndërkohë sot në Gjykatën e Korçës është mbajtur edhe seanca ndaj Meçes dhe tre shokëve të tij. Këta të fundit u lanë në detyrim paraqitje, ndërsa Meçe në burg.
Pas vendimit, motra e 42 vjeçarit beri një reagim të fortë duke thënë se vëllai i saj u vra për herë të tretë ndërsa theksoi se bëhet fjalë për një krim në bashkëpunim mes bandash kriminale.
Ajo hodhi akuza sërish ndaj policisë së Pogradecit.
“Po flisnim për padrejtësinë që filloi në Policinë e Shtetit, padrejtësia që kanë bërë ata në çdo regjistrim, akt që kanë sjellë ata ka shoqëruar edhe gjykatën në padrejtësi. Janë lënë të lirë të gjithë vrasësit, një padrejtësi të menjëhershme në kohë së bashku në bashkëpunim, banda të bëra bashkë. Kam parë skedën e vdekjes dhe është vrasje, po flasim për vrasje, çfarë janë këta që lihen me detyrim paraqitje, që është duke u vrarë Egli me çdo veprim e mosveprim që është duke u kryer. Po flasim për vrasje me dashje, në bashkëpunim”, tha ajo.