Qyteti më shqiptar

Ermal Hasimja

Lenti Vorfi nuk i ndal për asnjë çast lëvizjet automatike të furrtarit e as buzëqeshjen teksa tregon si përgatitet ai që është specialiteti më i njohur i Gjakovës: samunat me suxhuk, një lloj simiteje a panineje që ka turpëruar dhjetëra amatorë të brumit që janë përpjekur ta imitojnë në kushte shtëpie si autori i këtij shkrimi. Lenti (Laurenti për shtetin) është brezi i pestë që trashëgon zanatin e furrtarit. Prej 30 vjetësh. Ai është dirigjenti i një orkestre profesioniste të përbërë nga familjarë. Kjo i jep samunave të tij një frymë prej gatimi në shtëpinë e dajës.

Çdo mëngjes (mos shkoni të blini samuna me suxhuk pas orës 9 se dukeni si turist me rrobebanjo përpara ndonjë shatërvani italian), gjakovarët çojnë suxhukun e personalizuar te Lenti i cili ia shton samunave të parapërgatitura duke u shtuar nganjëherë edhe djathë, vezë a fara. Produkti përfundimtar është samuna që mund të quhet pa frikë edhe pica e Gjakovës. Një shkallë më lart është jaglia, e ngjashme me samunën, por për meraklinjtë e vjetër dhe dashnorët e laktozës. Nga samunat ja ku dolëm te suxhuku. Tani gjërat kanë ndryshuar, por deri përpara pak vitesh pothuajse çdo familje gjakovare përgatiste suxhukun e saj. Çdo familje kishte formulën e vet që përcaktohej nga raportet mes mishit, qepës e specit të kuq. Por tani kohërat kanë ndryshuar dhe gjakovarët e blejnë suxhukun në dyqane në të cilat zakonisht janë klientë prej kohës së Noes. Si për shembull te mishtore Tara pranë Çarshisë. Vetë autori i shkrimit e mësoi adresën prej një eksperti prej Prishtine që furnizohej aty.

Furrat nuk bëjnë vetëm bukë e samuna. Njësoj si në Tiranën e viteve 70-80 në furra gjakovarët pjekin edhe tavat e tyre të famshme. Më sojnikja është “tava me patlixhon” (lexo domate). Amvisat grijnë domatet, qepët, pak speca, hudhër e erëza dhe i lenë të flenë deri të nesërmen në mëngjes. Shtohet mishi i zgjedhur sipas manualeve të denja për anatominë shkencore. Lëngu i kulluar natën nxirret veç dhe i hidhet gradualisht tavës teksa ajo piqet për 3-4 orë në furra si e Lentit. Ajo që del nga furra është një martesë epike shijesh. Aty ti zbulon se stomaku yt mund të mbajë më tepër sesa mund të të ngjeshte gjyshja me lutjet e saj.

Gjakova është qyteti i traditave. Shqiptare. Pikë. I gjithë qyteti është një love story e 30-40 familjeve të mëdha të mpleksura me 100 fije të ndryshme me njera-tjetrën. Në Gjakovë ti je produkt i dy mbiemrave të nënës e babës, por në fakt je patjetër edhe i lidhur me 30-40 familjet e tjera. Shkurt, je bir/bije i/e Gjakovës në kuptimin më bio e familjar të mundshëm.

Përpara se të shitet shtëpia, ajo i propozohet fqinjit e pas tij të gjithë fisit. Vetëm në rast mungese interesi shtëpia i shitet dikujt tjetër. Për gjakovarët është krijuar stereotipi i dorështrënguarit, njësoj si për gjirokastritët e korçarët, por ka dyshime të bazuara se autorët mund të jenë edhe ata vetë gjakovarë. Sepse disa nga humoristët më të mirë të Kosovës janë … gjakovarë. Në fakt shumicën e barcaletave me gjakovarë autori i shkrimit i ka dëgjuar nga vetë gjakovarët. Me sa duket një llastim i vogël autoironik për të qenë në qendër të vëmendjes.

Çarshia e Vjetër, pazari më i madh shqiptar e me gjasa ndër më të mëdhenjtë në Ballkan i ka ende rrugicat të ndara sipas zejeve njësoj si para 200 vitesh: kostumet popullore dhe djep-punuesit janë më piktoreskët. Veprat kryesorë në qytet e përreth tij janë ndërtuar prej esnafëve tradicionalë. Dhe ka plot të tilla. Përveç tyre edhe vepra prej personaliteteve vendase si xhamia e Hadumit me kompleksin e saj idilik. Pjesa kryesore e çarshisë është një rreshtim kafesh e restorantesh, nga të cilët Hani i Haraçisë është mbi 200 vjeçar. Nëse kaloni në një restorant të tillë mos bëni kot si ekspert duke parë menunë: lerjani kamarierit të zgjedhë për ju. Nuk rrezikoni asgjë, sepse çmimet janë 30-40% më të lira se në Tiranë. Sa për shërbimin të duket sikur po të shërben drekën plot dashuri ndonjë djalë tezeje (i thonë tezak) a daje (nuk i thonë dajak, pa merak).

Çarshia nis jetën e saj në mëngjes rreth orës 09.00 me kafet e mëngjesit të çifteve simpatikë 50-50 vjeçarë. Duken si turistë anglezë a gjermanë në një qytet oriental, por në fakt janë gjakovarë. Gjakova ka reputacionin e pakontestueshëm e qytetit më të emancipuar dhe me njerëz “të ngritur”. Këtë e konfirmojnë në fund të bisedës edhe ata që e kritikojnë qytetin për krenarinë e banorëve. Në mbrëmje është një tjetër brez që mbush Çarshinë, por kësaj rradhe jo për kafe. Pothuajse të përhershëm në ndonjë nga kafet e saj janë Ashikët, një grup pasionantësh që këndon këngë të vjetra qytetare gjakovare dhe të Shqipërisë së Mesme, përpara një tavoline me meze e pije në një atmosferë pothuajse shtëpie. Kur i dëgjon këngët, të zgjohen kujtime zanore fëmijërie, sepse disa nga meloditë i ke dëgjuar pa i identifikuar si gjakovare. Lokale si “Ku’zin” apo të tjerë ofrojnë meze në një stil të veçantë me qebapat, qoftet e Gjakovës, suxhukun dhe të tjera shoqëruese misesh alkoolike. Byreku me lakra i lokalit të Fatosit aty afër do të bënte xheloze cilëndo gjyshe korçare a dibrane.

Kur del nga Çarshia në veri të saj gjendesh përballë kullës si Ali Pashë Drenit. Lidhja e Prizrenit u bë vërtet në Prizren, por beteja e parë u bë në Gjakovë ku shqiptarët thyen dhe vranë Mehmet Ali Pashën e dërguar nga Sulltani për të treguar dhëmbët  si dhe bujtësin e tij shqiptar, ky i fundit i gjendur në dilemën tragjike mes tradhtisë ndaj atdheut dhe dorëzimit të mikut. Komandant i Lidhjes ishte gjakovari Sylejman Vokshi, kulla e të cilit qëndron ende në këmbë dhe e banuar edhe sot.

Nëse qyteti vjen nga mesjeta me standardet tipike islame të kohës, xhami, pazar, hamam, medrese, prania katolike është gjithashtu e dukshme. Kur shkon për të pirë kafen e mëngjesit në liqenit e Dukagjinit (Radoniqit me emrin e vjetër politically incorrect) rruga gjarpëron mes shtëpive katolike dukshëm të ngjashme, këndshëm të rregullta e me ndonjë statujë Skënderbeu në kopësht. Një kishë mbresëlënëse futuriste e dizajnuar nga Skëndër Hasimja, një prej arkitektëve më të njohur të Kosovës thyen butë panoramën klasike rurale.

Traditat gjakovare ishin me shumë gjasa edhe frymëzimi i dy udhëheqësve të lëvizjes për pajtimin e gjaqeve, Anton Çetta e Zekeria Cana. Kush e njeh historinë e di se Gjakova ka kontribuar për Shqipërinë po aq sa për Kosovën, pikërisht sepse nuk i ka parë të ndara. Një qytet shqiptar mban emrin e një gjakovari, Bajram Currit. Vetëm në Tiranë janë disa shkollat që kanë emra gjakovarësh: Emin Duraku, Asim Vokshi, Sadik Stavileci. Në raportet e shërbimeve angleze të Luftës së Dytë Botërore vëllëzërit Gani e Said Kryeziu shiheshin si udhëheqësit më seriozë të nacionalizmit antifashist shqiptar, derisa komunistët shqiptar i prenë në besë dhe ua dorëzuan jugosllavëve. Gjakova vazhdon t’i japë Shqipërisë edhe sot: nëse Lorik Cana mbushte zemrat e stadiumet me uniformën e kombëtares së bashku me gjakovarin tjetër Besnik Hasin, Petrit Çarkaxhia me grupin Jericho mbush skenat me muzikën autentike me nota thellësisht shqiptare. Shkëlzen Doli bën të njëjtën gjë me violinën e tij.

Gjakova është në fakt një nga 2-3 portat kryesore hyrëse të Alpeve Shqiptare. Valbona si dhe gjithë zona rrotull nuk quhet rastësisht Malësi e Gjakovës. Ereniku dhe Drini me urat e vjetra në shpinë ofrojnë pamje të mrekullueshme, por edhe … plazh.

Gjakova po rigjen vetveten. Krenaria gjakovare është automatikisht krenari shqiptare. Gjatë kohës së Jugosllavisë Gjakova ishte i vetmi qytet ku serbët detyroheshin të flisnin shqip kur futeshin në dyqanet shqiptare. Vullneti për të mbrojtur me krenari identitetin pati koston e vet të lartë. Në 1999 vetëm pak orë pas nisjes së bombardimeve të NATO-s ushtria serbe e shkrumboi qytetin, por përsëri gjithçka u rindërtua ashtu siç ishte pa asnjë ndryshim. Pikërisht prej atdhedashurisë gjakovarët vuajtën numrin më të madh të viktimave në Kosovë. Sot gjakovarët ende ankohen se pushteti qendror i ka lënë pas dorë qëllimisht prej vitesh. Por njerëzit kanë nisur të punojnë vetë për qytetin e tyre. Infrastruktura është përmirësuar dhe Çarshia pret një fazë të dytë restaurimi në gusht 2024. Lokalet janë gjithnjë e më të gjalla dhe presin me padurim vizitorë. Gjakova nuk ka detin e Dhërmiut e as minierat e Bulqizës. Pasuria e saj më e madhe janë njerëzit. Dhe arma më e fortë e tyre është dashuria për qytetin e zemrës. Prej vitesh djem e vajza të qytetit organizojnë aktivitete kulturore në mënyrë vullnetare duke tërhequr qindra vizitorë nga Kosova e Shqipëria. Ata që vijnë nga Shqipëria befasohen nga një qytet i pareklamuar që qëndron ende i pazbuluar plotësisht, eklipsuar nga imazhet e Prishtinës e Prizrenit. Por nuk u duhet shumë kohë për të zbuluar atë që çdo gjakovar e ndjen në gen: Gjakova është qyteti më shqiptar prej të gjithëve. Dhe krenar për këtë.