Incidenti me presidenten Osmani në aeroport, reagime nga Shkupi: Kërkoi të kalonte pa skanuar telefonin dhe çantën

Pas publikimit të incidentit në aeroportin e Shkupit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Sipas ekupit diplomatik të Osmanit,  pjesëtarë të sigurisë së aeroportit kanë shtyrë presidenten Osmani si dhe kanë tentuar t’i marrin telefonin personal.

Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të RMV thuhet një tjetër version. Autoritetet maqedonase kanë tentuar ta kalojnë përgjegjësinë te ekipi shoqërues i presidentes së Kosovës, duke theksuar: “Sot rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja Vjosa Osmani po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur iu kërkua që të kalonte celularin në skaner, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”.

“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare”, sipas njoftimit.

Po ashtu, Ministria e Brendshme e RMV-së bën të ditur, se pas incidentit, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale po marrin masa për zbardhjen e rastit.

Ndërkohë ka reaguar edhe kompania TAV, e cila menaxhon me Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Sipas reagimit thuhet se TAV Maqedoni, si operator aeroporti, ka obligim ligjor që të kryejë një kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.

“Në përputhje me Ligjin për Aviacion dhe rregulloren ligjore ndërkombëtare në lidhje me sigurimin e aviacionit civil, TAV Maqedoni, si operator aeroporti, ka obligim ligjor që të kryejë një kontroll sigurie të të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe nga Aeroporti “Sveti Apostol Pavle Ohër”, duke përfshirë pasagjerët që udhëtojnë nëpër sallonin VIP.

Prandaj, Departamenti i Sigurisë i TAV Maqedoni, në kuadër të kompetencave të veta, ka bërë kontroll standard të sigurisë së pasagjerit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP, për të siguruar fluturimin specifik komercial.

Duam të theksojmë se siguria e aviacionit nuk është kërcënuar, sepse ngjarja e përmendur ka ndodhur në hapësirën publike të aeroportit, pra përballë pikës së kontrollit të sallës së VIP-ave, nga ku pasagjerët VIP, pasi janë kontrolluar nga Sigurimi, dërgohen në zonën e kontrolluar nga aeroporti.

Gjithashtu duam të theksojmë se salla e VIP-ave është një ndërtesë e veçantë e izoluar nga ndërtesa kryesore e terminalit të Aeroportit të Shkupit, që do të thotë se nuk është e saktë se është cenuar siguria e udhëtarëve”, thonë nga TAV Maqedoni.