Teksa Bashkia e Tiranës ka publikuar projektin për transformimin e lumit Lana, ku do të shpenzohen miliona euro duke filluar nga bonusi i qirasë për banorët që preken nga projekti dhe deri te shtëpitë e tyre të reja, kryeqyteti është pa ujë në kulmin e stinës së verës.
Nje denoncim ka ardhur në Media Ditari nga banorët dhe bizneset e rrugës “Mine Peza”, të cilët njoftojnë se prej 5 ditësh në rubinetët e çezmave të tyre nuk rrjedh asnjë pikë ujë, në një kohë kur temperaturat shënojnë mbi 40 gradë celcius.
Bizneset e shumta që janë në atë zonë po përballen me vështirësi të shumta, pasi në mungesën e ujit nuk mund të shërbejnë për qytetarët. Ata thonë se janë drejtuar me disa ankesa, por asnjë nuk jep përgjigje, duke i lënë në mëshirë të fatit.
Deri më tani në atë zonë nuk ka shkuar as ndonjë autobot me ujë, në mënyrë që banorët të mbushin bidonat dhe t’i përdorin deri në momentin që ky problem të zgjidhet.
Nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar këtë problem, por një situatë e tillë është skandaloze në mes të sezonit turistik dhe me temperatura të tilla, ndërkohë që Bashkia kujdeset të paguajë miliona euro për inceneratorët që nuk ekzistojnë, në vend që ato para’ të shpenzohen për sistemin e ujësjellësit.
“Uji 24 orë” ka qenë një nga premtimet e para të Edi Ramës kur erdhi në pushtet dhe Erion Veliajt kur mori drejtimin e Bashkisë, por edhe pas 11 vitesh, ka mbetur vetëm një premtim, me qytetarët e Tiranës që tashmë janë të detyruar të blejnë jo vetëm ujin për të pirë, por edhe për nevoja të tjera në familje dhe biznese.