Mazhoranca dhe opozita gjetën dje gjuhën e përbashkët dhe miratuan me 106 vota pro ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pavarësisht kundërshtive nga disa deputetë të opozitës.
Sipas Kodit të ri Zgjedhor, 1/3 e listës së kandidatëve do të jetë e sigurt, ndërsa 2/3 me votë preferenciale, ku çdo votë bën diferencën. Por për Fatmir Mediun, Dashnor Sulën, Dashamir Shehin dhe disa të tjerë, ndarja e tillë e mandateve jo vetëm që nuk është hapje e listave, por i mbyll edhe më shumë ato.
Deklaratave të tyre i dolën kundër “kumbarët” e Kodit Zgjedhor: Damian Gjiknuri, Oerd Bylykbashi dhe Gazment Bardhi. Pothuajse me të njëjtat fjalë, ata deklaruan se tashmë qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin 40 deputetë nga vota e tyre preferenciale.
Por deklaratat e tyre u bënë mbi projeksione të zgjedhjeve të vitit 2021, ndërkohë që nuk i kanë marrë parasysh të gjitha mundësitë.
Media Ditari po ju sjell një shembull se ekziston mundësia që asnjë deputet të mos zgjidhet nga populli, por të 140 mandatet të shpërndahen sipas preferencave të kryetarëve të partive.
Tirana- 36 deputetë – 12 në listë të mbyllur
Ndarja e deputetëve
PS -12
PD – 12
Partitë e tjera 12
Asnjë deputet i zgjedhur me votë parapëlqyese
Fieri – 16 deputetë – 5 deputetë në listë të mbyllur
PS – 5
PD – 5
Partitë e tjera – 6
Asnjë deputet i zgjedhur me votë parapëlqyese
Durrësi – 14 deputetë – 5 deputetë në listë të mbyllur
PS – 5
PD – 5
Partitë e tjera – 4
Asnjë deputet i zgjedhur me votë parapëlqyese
Nëse edhe në qarqet e tjera do të kishim ndarje mandatesh të tillë, 140 deputetë do të zgjidhen vetëm nga preferenca e kryetarëve të partive! Ky është Kodi i ri Zgjedhor që na servirën mazhoranca dhe opozita!