Aeroporti I Rinasit ka dalë me një njoftim në lidhje me problemet globale në teknologjinë e informacionit, duke theksuar se qytetarët mund të përballen me vonesa sa u takon fluturimeve të tyre.
Në njoftim thuhet se aeroporti nuk është prekur nga kriza globale e sistemeve kompjuterike, por mund të ketë ndryshime në oraret e fluturimeve si për mbërritjet, ashtu edhe për nisjet nga TIA.
Këshillohet që të gjithë pasagjerët të verifikojnë oraret e fluturimit drejtpërdrejt me linjat ajrore ose agjencitë e tyre të udhëtimit përkatës.
Kujtojmë se problemet teknike me linjat e internetit dhe komunikimit kanë shkaktuar kaos në Europë dhe më gjerë, duke bllokuar linjat ajrore, punën e bankave, nëpër media dhe kompani të tjera.
Njoftimi i TIA:
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) i paprekur nga kriza globale e sistemeve kompjuterike
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) konfirmon se sistemet e tij kanë mbetur plotësisht funksionale dhe të paprekura nga kriza e fundit e sistemeve kompjuterike në mbarë botën.
Për shkak të ndërprerjeve në aeroportet e vendeve të tjera të prekura, mund të ketë ndryshime në oraret e fluturimeve si për mbërritjet ashtu edhe për nisjet në TIA.
Këshillohet që të gjithë pasagjerët të verifikojnë oraret e fluturimit drejtpërdrejt me linjat ajrore ose agjencitë e tyre të udhëtimit përkatës.
TIA mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë dhe komoditetin e të gjithë pasagjerëve dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën.
Ndërkohë edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës ka reaguar duke thënë se fluturimet e orareve të mëngjesit janë nisur në kohë dhe pa probleme. Por theksojnë se vonesa pritet të shkaktohen në orët në vazhdim nga fluturimet që do të vijnë nga aeroportet e tjera në varësi të sistemeve të ndryshme të operimit.
“Situata e krijuar mëngjesin e sotëm nga ndërprerje të funksionimit të sistemeve kompjuterike, në nivel global, që ka prekur shërbimin e sistemit të check-in dhe rezervimit, në disa aeroporte ndërkombëtare, nuk ka afektuar për momentin Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Fluturimet e orareve të mëngjesit janë nisur në kohë dhe pa probleme. Kjo pasi Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka një sistem të dyfishtë, i cili mundëson funksionimin pa probleme të tij.
Gjithsesi vonesa pritet të shkaktohen në orët në vazhdim nga fluturimet që do të vijnë nga aeroportet e tjera në varësi të sistemeve të ndryshme të operimit.
Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për këtë situatë të krijuar, ju lutemi të informohen në vijimësi përmes zyrës së informacionit të TIA për oraret e fluturimeve dhe ndryshimin e mundshëm të tyre”, thuhet në reagimin e ministrisë.