SKANDAL/ E konfirmon kreu i KLSH-së: Zbuluam akullore me Oksid Etileni që shkaktojnë kancer dhe leucemi, AKU nuk i bllokoi

Do të duhej të ishte institucioni që mbronte shëndetin e shqiptarëve nga abuzuesit, por Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duket se është kthyer në një zyrë biznesi ku shëndeti i qytetarëve është i fundit në radhë.

Në Shqipëri qarkullojnë shumë produkte të tregtuara jashtë çdo lloj standardi, por kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, ka zbuluar një skandal të madh që ka rrezikuar jetët e qindra mijëra qytetarëve shqiptarë.

Në raportimin për vitin 2023 në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, ai është shprehur se është gjetur në treg akullore që përmbanin Oksid etileni, që shkakton kancer, leucemi dhe ndikon në aftësinë riprodhuese tek meshkujt.

Ai tregoi se është njoftuar menjëherë AKU, por këta të fundit nuk morën masa për bllokimin e produktit, që vijoi të tregtohej në Shqipëri, duke rrezikuar shëndetin e shqiptarëve. Shehu zbuloi se janë konsumuar 13.2 ton akullore me oksid etileni, me produktet janë shitur kryesisht në: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Berat, Lushnje, Korçë, Shkodër, Sarandë, Krujë, Burrel, Peshkopi, Tropojë, Lezhë.

Oksid etileni është ndër shtatë përbërësit kryesorë të fshehur në produktet kozmetike dhe të kujdesit personal. Oksid etileni zakonisht gjendet në aromë dhe shampo. Sidoqoftë, kjo përbërje dihet të ketë efekte të dëmshme në shëndetin e njeriut. Administrata e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë (OSHA) shpjegon se ekspozimi kronik shoqërohet me formimin e kancerit, efektet riprodhuese, ndryshimet mutagjene, neurotoksicitetin dhe sensibilizimin. Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin gjithashtu klasifikon oksidin etilenit si një kancerogjen.