Të dhënat e publikuara pak ditë më nga INSTAT në lidhje me numrin e popullsisë, vijojnë të jenë temë diskutimi.
Ditën e sotme, Kisha Katolike shpreh mosbesimin në lidhje me shifrat reale të shqiptarëve të cilët janë larguar nga vendi në vitet e fundit. Në deklaratë, theksohet se numri është më i lartë se 429 mijë, i përllogaritur nga INSTAT përgjatë 13 viteve të fundit.
“Ne mendojmë se numri është më i lartë se kaq. Është një fenomen që ne si Kishë Katolike e kemi ndier dhe e kemi shprehur herë pas here, për shkak edhe të pranisë sonë kapilare në territorin e Shqipërisë. Ne kemi qenë dëshmitarë të largimit masiv të familjeve shqiptare jashtë Shqipërisë dhe e përjetojmë përditë këtë plagë.
Kjo është e lidhur me një shqetësim të dytë që statistikat e tregojnë: tkurrja e moshës së re dhe e moshës së punës. Kjo sjell pasoja në zhvillimin e shoqërisë e sidomos në mirëqenien shpirtërore dhe ekonomike të familjeve shqiptare. Kjo tkurrje ul numrin e martesave dhe familjeve të reja që janë garanci për lindjen dhe edukimin e fëmijëve, si detyra themelore të martesës dhe familjes e që garantojnë vazhdimësinë jo vetëm numerike, por edhe cilësore të shoqërisë. Largimi i moshës së re është mungesë e një aseti që varfëron Shqipërinë.’
Ndër të tjera në deklaratë janë ndalur edhe te numri i besimtarëve katolikë në vendin tonë, që ka shënuar ulje në krahasim me Censin e vitit 2011, nga 10% në 8.45.
“Për sa i përket numrit të katolikëve, mund të themi se ne nuk kemi elemente në dorë për të gjykuar nëse realisht është ky numri i katolikëve në Shqipëri. Tkurrja e përgjithshme e popullsisë ka sjellë edhe tkurrjen e katolikëve dhe ikjen e tyre në vendet perëndimore, kryesisht në Evropë dhe në Amerikën veriore.
Në këto vite, ne si komunitet katolik, nuk kemi kryer regjistrime për popullsinë. Prandaj, edhe neve na lind një angazhim për ta kryer këtë Census nëpër Dioqezat dhe famullitë tona për ta njohur, edhe pse përafërsisht, por me realizëm, numrin e katolikëve në territor.“