SPAK i vuri byzylykët edhe Beqajt, kush është i radhës?

Në vargun e gjatë të zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën, duke përfituar qindra mijëra apo miliona euro nga taksat e shqiptarëve apo fondeve të BE-së, radha i erdhi Ilir Beqajt për t’u përballur me drejtësinë.

Pas shumë kohësh hetime për aferën korruptive të Sterilizimit, SPAK vendosi ta arrestojë, por për një çështje tjetër, atë të abuzimit me fondet e SASPAC. Këto fonde jepen nga Bashkimi Europian, ndaj edhe shpërdorimi i tyre është si të luash me zjarrin.

Nëse për 100 milionë eurot e Sterilizimit Beqaj ia hodhi me masë sigurie “detyrim paraqitje”, ku pati edhe guximin të shkonte në SPAK me makinën e një prej njerëzve që po hetohej bashkë me të, për fondet e SASPAC u burgos menjëherë, pasi është bërë rrugë të shpërdorohen taksat e shqiptarëve, por europianët nuk të falin asgjë.

Por, teksa duket se historia e Beqajt e ka marrë rrugën e duhur, ka shumë ministra dhe ish-ministra apo kryebashkiakë që janë nën hetim dhe janë pjesë e aferave korruptive, ndaj me shumë gjasë, njëri prej tyre do të jetë i radhës që do të provojë “byzylykët” e SPAK.

Abuzimi me fondet e programit IPARD ishte një nga skandalet e fundit të mëdha të qeverisë Rama, me ish-ministren Frida Krifca të dyshuarën kryesore, pasi më herët kishte qenë edhe drejtuese e AZHBR-së.

Ambasada gjermane, OLAF dhe Eurojust kanë çuar në SPAK dosjet e abuzimit me fondet e IPARD, ku paratë e dhëna nga BE për fermerët, i morën miqtë e qeverisë për të ngritur vila dhe resorte afër detit, ndërkohë që fermerët vijojnë të vuajnë pasojat, duke mos patur tashmë asnjë mbështetje.

SPAK ka nën hetim edhe inceneratorin e Tiranës dhe dosjen “5D”, ku dyshohet të jetë i përfshirë ehde kryebashkiaku Erion Veliaj. Ky i fundit u paraqit edhe në SPAK, ku dëshmoi për disa orë në lidhje me aferën e inceneratorit, ndërkohë që hetimet po shkojnë drejt fundit.

Tjetërsimi i pronave në Gjilekë të Himarës ka futur tashmë në burg ish-kryebashkiakun Jorgo Goro, ndërkohë që nën hetim janë ish-ministrja Olta Xhaçka dhe bashkëshorti i saj, Artan Gaçi. Ky i fundit u shpall investitor strategjik nga qeveria, por toka me të cilën aplikoi për resort ishte e tjetërsuar, ndërkohë që ishte edhe në konflikt interesi, pasi pjesë e qeverisë ishte edhe bashkëshortja e tij.

A do të kenë edhe ata fatin e Jorgo Goros? Pritet vetëm që SPAK të përfundojë hetimet për të zbuluar më shumë.

SPAK po heton edhe Ilir Metën, Monika Kryemadhin, Damian Gjiknurin, emri i të cilit doli në përgjimet e inceneratorëve, si dhe një sërë kryebashkiakësh për disa çështje, ndaj pritet që vera të jetë shumë e nxehtë për Prokurorinë e Posaçme.