Shfrytëzonin fëmijët për të lypur në plazh, procedohen penalisht tre persona në Durrës

Tre persona janë proceduar penalisht në Durrës me akuzën se shfrytëzonin fëmijët për të lypur. Ata rezultojnë të jenë prindërit e fëmijëve.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, gjatë patrullimeve të vazhdueshme, me qëllime garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë konstatuar se disa fëmijë shfrytëzoheshin nga prindërit e tyre, për të lypur në zonën e plazhit.

Për rastet e konstatuara, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”, për shtetasit S. Sh., A. S dhe H. S.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Durrësit apelon për prindërit dhe qytetarët që të mos shfrytëzojnë të miturit për veprimtari ekonomike të papërshtatshme me moshën e tyre, pasi përveç se përbën një paligjshmëri të dënueshme në Kodin Penal, ky veprim dëmton dhe shëndetin psiko-emocional të fëmijës”, thuhet në njoftim.