Gjysma e shqiptarëve jashtë vendit, plakje e popullsisë dhe stok pronash të pa shitura, si CENSI hodhi poshtë propagandën qeveritare

INSTAT publikoi ditën e djeshme të dhënat e Censit 2023, pas disa shtyrjesh, teksa ndryshe nga herët e tjera, nuk pati një rezultat paraprak të të dhënave.

Shumë eksponentë politikë dhe shoqëria civile kanë aluduar se shtyrja e publikimit të të dhënave nga INSTAT është bërë me qëllim manipulimin e shifrave, me synimin që të fryjë numrin e popullsisë, pasi vitet e fundit ka patur një numër të madh largimesh për shkak të papunësisë dhe varfërisë.

Por, edhe nëse do t’i besojmë 100% shifrave të publikuara nga INSTAT, sërish këto shifra bien ndesh me propagandën qeveritare.

Sipas INSTAT, numri i popullsisë është 2,402,113 banorë që jetojnë në Shqipëri, ndërkohë që popullsia totale me shtetësi shqiptare është 4,611,189 persona, çfarë do të thotë që më shumë se 2.2 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit, e përkthyer në rreth 48%.

Por nëse do të bëjmë një krahasim me Censin e fundit në vitin 2011, do të shohim se janë 700 mijë më shumë emigrantë në 13 vite. Në regjistrimin e vitit 2011, në Shqipëri jetonin rreth 2.8 milionë banorë, ndërsa jashtë vendit 1.5 milionë shqiptarë, me një total prej 4.3 milionë personash me shtetësi shqiptare.

Pra, numri i qytetarëve me shtetësi shqiptare është shtuar me rreth 300 mijë banorë në 13 vitet e fundit, ndërkohë që banorët e Shqipërisë janë 400 mijë më pak.

Kjo është një tregues i emigrimit masiv në 13 vitet e fundit, pavarësisht shifrave të treguara nga qeveria, ndërkohë që shifrat e EUROSTAT tregojnë edhe më shumë shqiptarë të larguar, por sot po i përmbahemi vetëm shifrave të publikuara nga INSTAT.

Një shifër tjetër shumë shqetësuese është ajo e plakjes së popullsisë. Me një rini që largohet drejt vendeve të BE-së për të punuar, për shkak të mungesës së vendeve të punës, të zaptuara nga patronazhistë dhe njerëz të pushtetit, siç u tregua në skandalin e fundit të Onkologjikut, Shqipëria është plakur me 7 vite.

Një shifër tmerruese, kur sheh se mosha mesatare e Shqipërisë ka shkuar në 42.5 vjeç, nga 32.5 që ishte 13 vite më parë. Numri i të rinjve ka rënë me 6.4%, ndërkohë që është shtuar me 13.7% numri i të moshuarve.

Në Shqipëri kemi 30.4% të moshuar dhe 24% të rinj, ndërkohë që nëse ecim me këto ritme, shumë shpejt do të bëhemi shteti më i plakur në Europë dhe botë.

Por, ndërsa shqiptarët largohen për shkak të varfërisë, në Shqipëri ka lulëzuar biznesi i ndërtimit. Në vendin tonë ka 70.129 banesa më shumë se 11 vite më parë, por 32.9% e totalit të banesave janë bosh.

Pra, janë 356.204 banesa të pabanuara, ndërkohë që çmimi i tyre vetëm rritet pavarësisht se nuk ka asnjë blerës. Siç kanë treguar edhe raportet e DASH apo BE-së, ndërtimi në Shqipëri është “lavatriçja” e parave të pista, ndaj kemi edhe këto shifra.

Si përfundim, Shqipëria po sheh si i largohen çdo ditë të rinjtë, si po plaket popullsia dhe si po ndërtohet në çdo cep, për të pastruar paratë e krimit të organizuar.

Megjithatë, kemi përpara sezonin turistik, do informohemi çdo ditë për çdo anije të ankoruar apo avion të ulur në Rinas, për të fshehur avionët që nisen drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera me të rinj që nuk duan as të kthehen më.