Dënimi i Belerit/ Ambasadorja greke: Procesi ndaj tij ngre pikëpyetje, të lirohet për t’u paraqitur në PE

Ambasadorja e Greqisë në vendin tonë Konstantina Kamitsi ishte edhe sot e pranishme në sallën e gjyqit, ndërkohë që u mor vendimi për Fredi Belerin.

Pas seancës përfundimtare të Gjykatës së Apelit, ambasadorja tha se procesi ndaj Belerit ka qenë i dyshimtë, ndërsa kërkoi që ai të lirohet dhe të marrë pjesë në seancat e PE, ku është zgjedhur deputet.

Në një deklaratë për mediat para SPAK, ambasadorja tha:

“Për fat të keq shumë aspekte të kësaj çështjeje ngrenë pikëpyetje, sa i përket objektivitetit të procesit, siç është çështja e shkeljes së prezumimit të pafajësisë, paraburgimi i zgjatur, dënimi jo proporcional dhe moslejimi i të drejtës së betimit. Më gjithë dëshirën e popullit të Himarës përmes procesit zgjedhor, bashkia drejtohet akoma edhe sot nga persona që nuk zgjedhur prej votuesve.”

Apeli i GJKKO ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin e marrë në mars të këtij viti nga Shkalla e Parë për ish-kryebashkiakun e Himarës. 2 vite burg për këtë të fundit, ndërsa 3 vite shërbim prove për bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi. Ndërkohë që Belerit i kanë mbetur edhe disa muaj për të shlyer dënimin, ambasadorja tha:

“Beleri tashmë zyrtarisht është anëtar i zgjedhur i Parlamentit Evropian. Është një kërkesë plotësisht demokratike që eurodeputetët të kenë mundësinë të paraqitet personalisht në të gjitha punimet e PE duke filluar që nga korriku”.

Beleri u zgjodh si përfaqësues i Greqisë në Parlamentin Europian në fillim të këtij muaji.