“Bëjnë gjasme sikur kanë shqetësim tjetër”, ndeshja e Kombëtares përgjysmon deputetët në Kuvend

Seanca e sotme ka nisur më shumë se 30 minuta me vonesë pasi nuk po plotësohej numri minimal i deputetëve të nevojshëm për të filluar seancën.

“Ftoni edhe kolegët që qëndrojnë jashtë sallës”, tha nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj, ndërsa më vonë njoftoi se numri u plotësua ndaj duhej nisur seanca.

Shkak për mungesën e deputetëve është bërë ndeshja e radhës e Kombëtares në ‘EURO2024’, ajo me Spanjën që zhvillohet mbrëmjen e sotme, e cila ka përgjysmuar deputetët që marrin pjesë në seancën plenare.

Shumica prej ligjvënësve kanë udhëtuar drejt Gjermanisë për të parë nga afër Kombëtaren kuqezi.

Pas javës së gjelbër, deputetët duhet të raportonin sot problemet me të cilat janë hasur në terren por siç thotë deputeti Salianji ata mendjen e kanë tjetërkund.

Deputeti Ervin Salianji në seancën e sotme në Kuvend është shfaqur i veshur me bluzën e Kombëtares Shqiptare.

Salinji shprehet se përfaqësuesit në Kuvend bëjnë sikur kanë ndonjë shqetësim tjetër, ndërkohë që thekson se sot e gjithë vëmendja është te kombëtarja shqiptare.

“Sot gjithë sytë tek kombëtarja! Një Shqipëri që shkëlqen dhe disa përfaqësues që e kanë zhytyr 🇦🇱 në lëngim e sot bëjnë sikur shqetësohen!”, shprehet deputeti demokrat.