Saimir Tahiri paraqitet në SPAK, ish ministri i Brendshëm nën hetim pasuror

Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është paraqitur mesditën e sotme në SPAK.

Ai ishte i shoqëruar nga avokati Maks Haxhia ndërsa është thirrur nga prokurori Elvin Gokaj në lidhje me hetimin pasuror.

Tahiri u lirua një vit më parë nga Gjykata e shkallës së parë e Elbasanit, në Shqipëri, ndërsa i kishte mbetur pa shlyer edhe një vjet e tetë muaj nga dënimi.

Por ndërsa u dënua me burg, pasuria e ish ministrit nuk u prek, deri 4 muaj pas daljes së tij nga burgu, kur nisi edhe hetimi për pasurinë.

Pak kohë më parë SPAK, mori dëshminë e bashkëshortes së Tahirit, biznesmenit Lulzim Morina dhe disa personave të tjerë, përfshirë motrën dhe kunatin e Tahirit.
Hetimi ka zbuluar se në një nga pronat e trashëguara nga bashkëshortja e Tahirit, është duke u ndërtuar një pallat në zonën e ish-sheshit “Shqiponja” në Laprakë.

Lirimi i Tahirit nuk u prit mirë nga SHBA, ambasada e së cilës doli në një deklaratë publike dhe tha se po i përcillte me shqetësim këto lajme.