Kandidati i PD për kryeministër, Bardhi: Do preferoja Jorida Tabakun ose ndonjë nga diaspora

Na ndan më pak se 1 vit nga zgjedhjet parlamentare, teksa Partia Demokratike duket se po gjen vazhdimësi në bashkimin e nisur pak kohë më parë, për shkak se gjykata e Apelit i dha vulën shumicës së udhëhequr nga Sali Berisha.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i pyetur për kandidatin për kryeministër që do të nxjerrë PD në zgjedhje, u shpreh se do të preferonte që të ishte një figurë larg politikës.

Ai tha se do të preferonte nja kandidat nga diaspora, por shtoi se edhe Jorida Tabaku do të ishte një kandidate shumë  emirë për kryeministre.

“Një nga tre gjërat që ne duhet të bëjmë, është rigjenerimi i ekipit që ne do të nxjerrim. Secili prej nesh e ka të qartë për sa i takon cilësive të figurave që do të duhet të përbëjnë ekipin që ne do të prezantohemi në zgjedhje.

Kandidati për kryeministër nuk është çështje protagonizmi, por çështje përgjegjësie e secilit prej nesh brenda PD dhe përsëris që nuk është vendimmarrje individuale, por e strukturave brenda partisë. Nëse më pyet mua, unë do doja që të ishte një figurë që vjen tërësisht nga jashtë politikës. Jo këto që përfliten, sepse janë legjenda urbane për humor dite.

Unë do të preferoja një figurë që vjen nga diaspora, një figurë të pakontesueshme që do të gëzonte besimin e të gjithë strukturës së partisë. Nuk e kam emrin, por po bëj profilin si do doja unë. Edhe Tabaku mund të ishte një figurë e shkëlqyer për kandidate për kryeministre, qoftë për profilin që ka, qoftë për individin që përfaqëson”, tha Bardhi në Euronews Albania.