Tensionohet protesta para Bashkisë: Flakë, përplasje fizike me policinë dhe molotov drejt godinës

Është tensionuar protesta që po mbahet ditën e sotme para Bashkisë së Tiranës, ku një i ri ka lyer me benzinë gomat e vendosura dhe më pas u ka vënë flakën.

Ata janë konfrontuar edhe fizikisht me Policinë e cila ka hedhur ujë në përpjekje për të fikur zjarrin. Përplasje ka patur edhe mes deputetëve të PD dhe policisë.

Më herët disa prej protestuesve lidhën me litar blloqet e betonit në të cilat janë ngjitur dhe kangjellat e hekurit të kordonit të sigurisë me policët.

Më pas drejt bashkisë janë lëshuar tymuese dhe flakadanë, duke tensionuar situatën.

Ndërkaq protestuesit kanë hequr edhe rrethimin e hekurt që kishte vendosur policia dhe bashkia.

Dhe pas kësaj ka nisur breshëria e molotovëve në drejtim të godinës së Bashkisë.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Erion Veliajt pas skandaleve me 5 drejtorët e Bashkisë së Tiranës, të cilët përfitonin tendera në mënyrë të padrejtë për kompanitë e tyre, duke shfrytëzuar postin.

Ndryshe nga 11 protestat e mëparshme, sot demokratët do protestojnë zyrtarisht pas 3 vitesh me flamurin e Partisë Demokratike. Sot ka patur forca të shumta policie, e cila u ka bërë thirrje protetuesve të qetësohen.