Dy ditë nga debutimi në EURO 2024, si pritet të rreshtohen kuqezinjtë ndaj Italisë

Të shtunën në orën 21:00, Kombëtarja shqiptare do të bëjë debutimin në EURO 2024, në sfidën e shumëpritur ndaj Italisë kampione në fuqi.

Në “Signal Iduna Park” të Dortmundit, i cili pritet të pushtohet nga ngjyrat kuq e zi, lojtarët e grumbulluar nga Sylvinho do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv, ndaj një kundërshtari shumë të vështirë.

Por dilemat janë të mëdha për sa i përket formacionit që Sylvinho pritet të hedhë në fushë nga minuta e parë. Mëdyshjet fillojnë që nga porta, ku Berisha dhe Strakosha do të luftojnë për një fanellë titullari. Më i favorizuar duket Berisha, me trajnerin brazilian që pritet t’i besojë eksperiencës së tij për të mbrojtur katërkëndëshin tonë.

Përpara tij i sigurt është Berat Gjimshiti, i cili do të udhëheqë mbrojtjen me shiritin e kapitenit në krah. Por ende ka dyshime për partnerin e tij në qendër të mbrojtjes, me Ismajlin , Ajetin dhe Kumbullën të gatshëm për të formuar digën e prapavijës së Shqipërisë.

Në krah, thuajse të konfirmuar janë Elseid Hysaj nga e djathta dhe “fenomeni” Mario Mitaj në të majtë, që do të ketë mundësi të tregojë talentin e tij në sy të skautëve nga e gjithë bota.

Në mesfushë duket më e lehtë për Sylvinhon, që “çelësat” ia ka dorëzuar Ylber Ramadanit dhe Kristjan Asllanit, ndërsa përpara tyre do të vendoset truri i ekipit, Nedim Bajrami. Krahu i djathtë i sulmit është prenotuar nga Jasir Asani, ndërkohë që në të majtë ka balotazh mes Taulant Seferit dhe Arbër Hoxhës.

I pari luajti pothuajse gjatë gjithë ndeshjeve eleminatore, por Hoxha në dy miqësoret e fundit tregoi se ka potencialin për të bërë mirë në të majtë të sulmit tonë. Pavarësisht kësaj, më i favorizuar duket Seferi, pasi bën më mirë edhe detyrat mbrojtëse.

Sulmin do ta udhëheqë Armando Broja, i cili erdhi pas një sezoni zhgënjyes me Chelsea dhe Fulham, por në miqësoret e fundit mori minuta për të qenë gati në sfidat ndoshta më të rëndësishme të jetës së tij.