Përçahet grupi i Bashës, kjo është deputetja e parë që largohet drejt Rithemelimit

Pas humbjes së vulës dhe logos, ka filluar përçarja në radhët e deputetëve që mbështesnin ish-kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.

Deputetja Eralda Bano nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar se do të vazhdojë të mbetet deputete e Partisë Demokratike, duke nënkuptuar se do të shkojë me PD-në zyrtare, që tashmë i përket Sali Berishës.

Ajo thotë se është e vetëdijshme se “rruga më e mirë për të rikthyer shpresën në çdo vatër shqiptare është që të kemi një opozitë të formuar, të papërçarë dhe të pathyeshme”.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Lufta me veten është lufta më e vështirë dhe forma më sublime e rimëkëmbjes, luftë e cila është e domosdoshme dhe jetike. Kjo luftë do duhet të na forcojë e të na kthejë në modelin më të mirë të vetes.

Demokratë të nderuar,

Dëshiroj të shpreh përulësisht një mirënjohje të thellë për këdo që më ka mbështetur në këto vite!

Jam mirënjohëse ndaj miqve, kolegëve,simpatizantëve të mi dhe kujtdo që ka marrë guximin të më kritikojë. Jam e bindur që në ditë të vështira nevoja për të reflektuar mbi të ardhmen prevalon mbi çdo ideologji, bindje apo mendim.

Jam e vetëdijshme se rruga më e mirë për të rikthyer shpresën në çdo vatër shqiptare është që të kemi një opozitë të formuar, të papërçarë dhe të pathyeshme, sikundër jam e bindur që debati i brendshëm duhet të vazhdojë për të mirën e të gjithëve.

Vendimi im politik është i thjeshtë. Unë jam, dhe do të mbetem deputete e Partisë Demokratike të Shqipërisë.