Bllokohet jahti me 10 turistë të huaj në Vlorë, gjobitet pronari që s’kishte licencë

Një drejtues jahti në Karaburun, është gjobitur pasi nuk kishte licencën përkatëse të operatorit turistik.

Në bordin e jahtit që përdorej në kundërshtim me ligjin për qëllime turizmi ishin edhe 10 turiste të huaj, njoftoi policia.

Pronari i mjetit lundrues, shtetasi A.T u gjobit me 100 mijë lekë të reja.

“Në zbatim të planit të masave për kontrollin e mjeteve lundruese, bllokohet 1 mjet lundrues jaht që përdorej në kundërshtim me ligjin, për qëllime turizmi, në Karaburun. Ndëshkohet me masë administrative 100 000 lekë, pronari i mjetit lundrues, i cili nuk ishte i pajisur me Certifikatën e Operatorit Turistik Detar. Shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Speciale Delta, gjatë patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, si dhe për kontrollin e përdorimit të mjeteve lundruese, bazuar dhe në informacionet e marra se në vendin e quajtur “Zhapovel”, Karaburun, një shtetas ushtronte aktivitetin, me mjetin e tij lundrues jaht, pa licencën përkatëse, kanë ndërhyrë menjëherë duke bërë shoqërimin dhe bllokimin e këtij mjeti.

Shërbimet e Policisë Kufitare e kanë ndëshkuar drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin A. T, me masën administrative 100 000 lekë të rinj, bazuar në ligjin nr. 43/2020 “Për operatorët turistikë detarë”, pasi rezultoi se nuk ishte i pajisur me Certifikatën e Operatorit Turistik Detar, për të ushtruar aktivitetin me mjetin lundrues jaht, në bordin e të cilit u konstatuan 10 turistë të huaj”, bën me dije Policia.