Kapet kokainë me vlerë 1 mln euro në portin e Pireut, ishte fshehur në kontejnerin me banane

Kapet sërish drogë në portin e Pireut. Mediat greke bëjnë me dije se një sasi prej 21 kilogramë kokainë, e ndarë në 21 pako është sekuestruar këtë të mërkurë në kuadër të operacionit “Coca banana’’.

Lënda narkotike, që kap vlerën e 1 milion eurove ishte e fshehur në një kontejner që transportonte banane nga Ekuadori.

Një skanim me rreze X zbuloi drogën në makinerinë ftohëse të kontejnerit.

Kjo shtyu inspektorët të hapnin kontejnerin dhe aty gjetën e më pas sekuestruan 21 pako kokainë, me peshë 21 kilogramë, vlera e së cilës përllogaritet në mbi 1 milion euro.

Tashmë, inspektorët doganor po hetojnë në bashkëpunim me antidrogën e Atikës lidhjet për të zbuluar rrjetin ndërkombëtar që ka nisur ngarkesën dhe personat që do e prisnin.