Vula i takonte PD-së së Berishës. Po pas kësaj?

Nga Mentor Kikia

Vendimi i gjykatës ishte i duhuri. Partia e drejtuar nga Berisha është PD-ja e vërtetë. Opozita nuk caktohet nga gjykata, por nga mbështetësit. Kjo nuk është vetëm ligjore, por në radhë të parë në përputhje me realitetin politik.

Kaq, festa mbaron këtu! Pjesa tjetër është një rrugë pa krye, të paktën deri tani. Nëse Berisha nuk tërhiqet dhe do të vazhdojë të jetë alternativa qeverisëse përballë Ramës, pra kandidati për kryeministër, ai do t’i lehtësojë shumë fitoren atij. Nën arrest shtëpie, i pamundur të jetë në fushatë fizikisht, dhe mbi të gjitha, non grata në SHBA dhe UK. Edhe pa këto, një politikan që mbart mbi supe shumë mëkate politike të këtyre 30 viteve. I provuar si president dhe kryeministër dhe pa asnjë kuriozitet dhe arsye për të parë një performancë të tretë në pushtet.

Me Berishën, rivali Rama nuk do të ketë shumë arsye të japë llogari për skandalet korruptive gjatë fushatës. Nëse do ta pranojmë se qeveria është e keqja e madhe që duhet larguar, për herë të parë shqiptarët nuk do të kenë një të keqe më të vogël si alternativë për të zgjedhur, ashtu si kanë bërë gjithmonë. Shqipërisë nuk i mungon opozita, pasi PD, edhe pa vullnet, e ka bërë shumë mirë deri tani me denoncimet e aferave. Shqipërisë i mungon alternativa e besueshme qeverisëse. Drejtuesit në këtë parti bëjnë thirrje për bashkim dhe hapje dyersh për intelektualë dhe të rinj. Por dyert nuk hapen duke thënë “hajdeni ju, por në qoshe do të vazhdoj të ulëm unë me shokët e mi të vjetër”.

Kjo, nëse zgjedhjet do të mbahen në 2025. Nëse Rama ka marrë ndonjë këshillë nga “Kasparov” dhe shpall zgjedhje të parakohshme, situata është edhe më komplekse.