Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në ceremoninë e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, ku ka mbajtur edhe një fjalim në Konferencën në nderim të ish-Presidentit Ibrahim Rugova.
Ndër të tjera, Rama përfitoi edhe për të hedhur akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti, pasi u shpreh se Kosova është në një proces ku po ngatërron politikën e brendshme me atë të jashtme, që sipas tij mund të jetë një sukses elektoral, por e lë Kosovën me shumë pak miq.
Ai hodhi thumbime edhe drejt Bashkimit Europian, që sipas tij nuk duhet të bazohet te marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës për të afruar këta të fundit me anëtarësimin në union.
“Sot jemi në një proces ku thellohet edhe më shumë qasja e politikës së jashtme, si politikë e brendshme. Kjo mund të ketë sukses elektoral, por kjo e lë Kosovën me gjithnjë e më pak miq. Nëse Kosova do të dilte nga kjo lojë ‘macja me miun’ me Serbinë, ne jemi këtu për të folur me BE, për të përmbushur detyrimet që kemi ne, si Republikë e Kosovës, në kontekstin e standardeve të BE dhe për t’u afruar me ju. Pastaj se ça bën Serbia, shkoni dhe merruni me të. Këto mbledhjet për t’u mbyllur për orë të tëra, nuk çojnë asgjëkundi. Se di se ça lidhje ka e ardhmja e Kosovës që kërkon të hyjë në BE dhe NATO, me atë se çfarë si pëlqen apo jo Serbisë. Serbia mund të mos i qaset kurrë idesë se s’do ta njohë kurrë Kosovën. Por kjo nuk duhet të pengojë Kosovën që të vijojë rrugën e saj drejt njohjes. Kjo do ta nxirrte Kosovën nga kurthi ku e ka futur Serbia. Ne jemi një popull i vogël, kemi dy shtete të vogla. Nuk jemi kërthiza e botës. Sa herë e kemi besuar këtë, e kemi pësuar shumë. Kosova është shumë e bukur, i ka të gjitha mundësitë dhe nuk ka pse të humbi kohë duke vrapuar rreth vetes së vetë”, tha ai.