2 ditë pasi emisioni investigativ “Report” në RAI3 publikoi pjesën e dytë të reportazhit dedikuar Shqipërisë, kryeministri Edi Rama doli në një komunikim duke hedhur akuza se i gjithë sulmi ishte me porosi nga Tirana.
Duke e cilësuar si një baltë e eksportuar nga Tirana, Rama sulmoi edhe ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Arben Ahmetaj, duke e etiketuar si një të arratisur të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, ku ish-numri dy i qeverisë në një drekë familjare me miqtë, pa e ditur se po filmohej, tregonte lidhjet e kryeministrit Rama me persona të lidhur me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar.
Sipas kreut të qeverisë, emisioni investigativ bashkëpunoi me një grusht shqiptarësh pa atdhe dhe pa fe ndërsa u përdorën si heronj figura të errëta.
Rama mes të tjerash foli me krenari për intervistën që dha ndaj gazetarëve të emisionit “Report” në RAI3, që sipas kreut të qeverisë ishin habitur nga gatishmëria e tij për tu ballafaquar me ta.
Rama: Dëshiroj të ndaj me ju eksperiencën time me programin Report të RAI3. Një eksperience intensive, sa fyese në aspektin njerëzor, aq edhe sfiduese në aspektin, le të themi profesional, megjithëse politika për mua nuk është profesion, është mision.
Ishte fyese sepse përtej personales, keqardhjes, dhimbjes nga padrejtësia e imponuar e vendosjes në shënjestër, për shkak të fushatës elektorale në Itali e të luftës mediatike atje, ndaj homologes sime në krye të qeverise italiane, kjo eksperiencë kishte ne përmbajtje shume baltë për Shqipërinë; baltë e prodhuar këtu, në Tirane, për luftën politike ndaj meje e qeverise sonë dhe këtë ju e dini të gjithë.
Dhe e gjithë ajo baltë e eksportuar nga këtu në Itali dhe e ekspozuar në ekranin e Shërbimit Publik italian, me lloj-lloj emra shqiptarësh e me dyshime të pambështetura në fakte, pa asnjë interes për publikun italian, që as nuk di e as nuk i intereson kush është X-i e Y-ni në Shqipëri, ishte padyshim një baltë krejt e pamerituar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Dëgjoni, Shqipëria s’është më ajo që ishte, kjo shihet kudo, flitet ngado, mirëpo disa që janë mësuar ta na shohin e ta trajtojnë Shqipërinë si vend të botes së tretë, nuk na e falin dot suksesin, çlirimin nga hijet e të shkuarës, kokën e ngritur lart. Prandaj dhe pesë kulla në Tiranë ju duken si 500 ngaqë as e kanë imagjinuar që Tirana do të bëhej kjo që vetëm sapo ka filluar të duket, se s’kanë parë gjë akoma. Dhe e vetmja mënyrë që gjejnë, me ndihmën e gojëve mos e themi të politikanëve pa atdhe e të papagajve të tyre pa skrupuj, është të hedhin baltë për të na pikturuar pacipërisht si mafiozë, trafikantë, kriminelë.
Po për mua cenimi me gjysmë të vërteta i Shqipërisë në gjuhë të huaj, nga cilidoqoftë e sidomos nga vendet fqinje, ku jeton edhe pjesa më e madhe e shqiptarëve të Europës, është një sulm mbi emrin, mbi nderin, mbi flamurin tonë kombëtar, mbi çdo shqiptar dhe pikë. Kush e bën, duhet ta mësojë se koha kur shteti shqiptar, qeveria, kryeministri i Shqipërisë, rrinin si skutha që bënin te fortin me të dobëtit këtu brenda dhe te menderosurin para të huajve, ka vdekur.
U habiten gazetarët e Reportit dhe e thanë që unë jo nuk i ika asnjë pyetjeje, po e kërkova vetë, publikisht ballafaqimin me ta. Thanë që këtë politikanët e tyre nuk e bëjnë dhe e quajtën madje kurajë të madhe, po ne fakt e imja s’është kurajë, është krenari për Shqipërinë dhe për emrin shqiptar.
Në bashkëpunim me një grusht shqiptarësh pa atdhe, pa fe, pa din e as iman, që jo nuk e bindin dot popullin këtu megjithëse shajnë e shpifin ditë-natë prej vitesh të tëra, po vetëm humbasin e diskreditohen përditë në sytë e tij, RAI 3 dha dy shfaqje të neveritshme të një gjasme gazetarie investigative. U përdorën si heronj të shfaqjeve figura të errëta, një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare për tërë të zezat, një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u, një i mbyllur në arrest shtëpie nga gjykata speciale antikorrupsion, një i përjashtuari nga Vetingu në sistemin e drejtësisë. U mor si opinionist një veteran i luftës me gjysëm të vërteta kundër meje e qeverisë sonë e ku di unë kush tjetër, ndërkohë që u trajtuan si personazhe negativë të shfaqjes, personalitete të politikës e të kulturës italiane apo lloj-lloj individësh të njohur e të panjohur në Shqipëri, duke hedhur baltë akuzash e dyshimesh pa asnjë lloj fakti.