Problemet globale po shtohen me shpejtësi, dhe asnjë vend nuk mund t’i zgjidhë dot ato duke vepruar i vetëm. Lista e sfidave që e prekin njerëzimin është në përgjithësi e gjatë dhe e rrezikshme.
Ato variojnë nga kërcënimi që vjen nga Inteligjenca Artificiale, deri tek realitetet e ashpra të një planeti që po nxehet me shpejtësi, përhapja e armëve bërthamore, migrimi masiv, pandemitë dhe kriminalizimi i qeverive. Disa probleme, si migrimet e pakontrolluara, janë probleme të vjetra.
Të tjerat, si ngrohja globale, janë të reja. Këto probleme mund të zgjidhen ose zbuten vetëm nga aleancat e vendeve që i koordinojnë veprimet e tyre. Nëse këto sfida trajtohen me sukses, atëherë do të përfitojmë të gjithë. Në të kundërt, po të gjithë do të paguajmë një kosto të madhe, pavarësisht se ku jetojmë.
Për t’i adresuar këto sfida, ne duhet të ofrojmë ato që ekonomistët i quajnë të mira publike në shkallë globale. Me këto nënkuptoj të mirat, të cilat një person mund të përfitojë pa i përjashtuar të tjerët. Shembulli tipik është ai i një fari që i drejton anijet të sigurta përgjatë bregdetit.
Shumë anije mund të “konsumojnë” shërbimet e farit në të njëjtën kohë, por pa i varfëruar ato. Zakonisht, të mirat publike garantohen nga qeveritë:për shembull, forcat e armatosura të një vendi, ofrojnë siguri për të gjithë banorët e tij, prandaj ato paguhen dhe organizohen nga qeveria.
Por në nivel global, nuk ka qeveri. Atëherë, kush do të na furnizojë me të mirat publike globale? Ky është një problem i mprehtë, pa ndonjë zgjidhje të dukshme. Nëse një vend është mjaftueshëm i fuqishëm për të imponuar sistemin e tij të qeverisjes mbi qytetarët e tij dhe mbi vendet e tjera, ai quhet “hegjemonik”.
Fuqitë hegjemoniste, kanë synuar gjithmonë të imponojnë të mirën publike më themelore, që është rendi. Kjo është ajo që bënë romakët në botën mesdhetare 2000 vjet më parë, dhe perandorët kinezë në territorin e gjerë aziatik që kontrollonin.
Megjithatë, ruajtja e hegjemonisë është e kushtueshme dhe fuqia e liderëve të saj pritet që të bjerë me kalimin e kohës. Për ta shmangur këtë kurth, në shekullin XX-të, Shtetet e Bashkuara tentuan multi-lateralizmin, një sistem në të cilin të gjitha vendet pjesëmarrëse bashkohen vullnetarisht për të mirën e përbashkët përmes organizatave si Kombet e Bashkuara.
Por shumë shpejt u bë e qartë se rivaliteti me Bashkimin Sovjetik, do ta bënte të paefektshëm këtë model. Ndaj me kalimin e kohës, amerikanët u zhvendosën drejt “mini-lateralizmit”. Ky sistem përfshin një fuqi dominuese, në këtë rast Shtetet e Bashkuara, që udhëheq një rrjet vendesh të tjera, të cilat bashkëpunojnë për të ofruar të mira publike globale.
NATO është një shembull i mirë i mini-lateralizmit, duke ruajtur paqen dhe sigurinë në Atlantikun e Veriut nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë ushtarak midis aleatëve. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe shumë organizata të tjera të ngjashme, kanë shërbyer për të ofruar të mira publike globale midis vendeve që ndajnë të njëjtën qasje.
Rezultatet e mini-lateralizmit, kanë qenë jashtëzakonisht pozitive:kurrë më parë kaq shumë njerëz nuk kanë jetuar në një zhvillim dhe siguri të tillë, sa nën mini-lateralizmin e promovuar nga SHBA-ja. Midis viteve 1945-2018, varfëria absolute globale ra nga 55 për qind e popullsisë së planetit në vetëm 10 për qind, ndërsa popullsia globale u katërfishua.
Por mini-lateralizmi është i zbatueshëm, vetëm nëse vendet aleate që janë pjesë e tij, janë mjaftueshëm të fuqishme për të imponuar marrëveshjen e tyre ndaj të tjerëve, dhe ky supozim po vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, i mbështetur nga fuqia kineze, është prova më e qartë se sa i goditur është bërë sistemi global, ku ne u mbështetëm për të ofruar të mira publike globale, siç është paqja.
Vendet që nuk e pranojnë dhe nuk i besojnë udhëheqjes amerikane, janë gjithnjë e më të shumta dhe të forta, dhe ato nuk janë të gatshme të bashkëpunojnë me sistemin e udhëhequr nga Uashingtoni për të vazhduar ofrimin e këtyre të mirave publike globale.
Problemi është se e gjitha kjo po ndodh pikërisht në një kohë, kur botës i duhet të zgjerojë në mënyrë dramatike kapacitetin e saj për të ofruar të mira publike globale. Për shembull bashkëpunimi tek politikat mjedisore po bëhet më urgjent, po aq sa po zvogëlohet kapaciteti ynë për bashkëpunim.
Në vend se të bashkëpunojnë për të reduktuar rreziqet që lindin nga Inteligjenca Artificiale, Uashingtoni dhe Pekini janë në një garë për të krijuar një sistem më të fuqishëm – dhe rrjedhimisht më të rrezikshëm – se ai i rivalit.
Korniza e marrëveshjeve të kontrollit të armëve bërthamore, e ndërtuar midis Uashingtonit dhe Moskës, ka ngecur plotësisht. Migrimi global është kaotik. Kërkesa për mallra publike globale është në rritje, ndërsa oferta nuk po rritet. Nëse askush nuk do të arrijë të vendosë një farë rregulli në sistemin ndërkombëtar, rezultati i pashmangshëm do të jetë një anarki e rrezikshme.