Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka raportuar sot para Komisionit të Ekonomisë, ku është shprehur se forcimi i lekut ka ndikuar pozitivisht në ekonominë e vendit tonë.
Ndonëse shumë qytetarë dhe biznese që të ardhurat i kanë në euro janë ndikuar negativisht, disa madje kanë falimentuar, Sejko është shprehur se forcimi i lekut ka rritur fuqinë blerëse në familjet shqiptare.
Sipas tij ky trend forcues i lekut ka ardhur edhe si pasojë e përmirësimit strukturor të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën.
Rënia e vlerës së euros nuk u reflektua në ulje çmimesh për produktet, çmimet e të cilave u rritën ndjeshëm pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, por guvernatori i bankës së Shqipërisë ka raportuar ulje të inflacionit. Kujtojmë se shumë kompani fason paralajmëruan falimentim.
Pjesë nga deklarata:
Në vitin 2022, pasi 5 rritje të normës së interesit dhe gjatë vitit 2023 pati 2 herë rritje të normës së interesit.
Ky ngadalësim pasqyroi forcimin e kursin të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikes fiskale.
Mbiçmimi i shpejtë i lekut ndihmoi në zbutjen e presioneve te huaja inflacioniste, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve në brendshme inflacioniste.
Në veçanti forcimi i lekut ka qenë dhe vijon të jetë një nga zhvillimet më të diskutuara ekonomike.
Rëndësia e këtij treguesi për zhvillimet ekonomike në vend kanë sjellë atë në fokus të analizave tona.
Këto analiza kanë synuar të identifikojnë arsye, pasojat dhe implikimet e tij për stabilitetin monetar dhe financiar të vendit.
Në mënyrë të përmbledhur ata kanë konkluduar se trendi forcues i kursit të këmbimit ka ardhur si pasojë e përmirësimit strukturor të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën, të pasqyruara në rritjen e eksporteve, kryesisht të turizmit, remitancave dhe investimeve te huaj direkte.
Në këto rrethana forcimi i lekut pati një ndikim tërësor pozitiv në ekonomi. Kontribuoi në kontrollin e inflacionit duke rritur fuqinë blerëse të shqiptarëve dhe mundësoi një normalizim me gradual të qëndrimit politikës sonë monetare gjatë 2023, duke mbajtur të ulëta kostot e financimit të bizneseve.
Shqipëria pati njëkohësisht një nga normat më të lartë të rritjes ekonomike, normën më të ulët të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit ndër vendet e Rajonit.