Një ngjarje tragjike ndodhi sot në Tiranë ku një 28 vjeçar u rrëzua nga një pallat në ndërtim e sipër.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:20 në rrugën rrugën “Aleksandër Mojsiu”, në Tiranë, ku si pasojë e dëmtimever të marra, i riu Argjend Fejzullah ka humbur jetën.
Kjo ngjarje e rëndë shënon rastin e 5-të brenda këtij muaji ku një punonjës ndërron jetë në vendin e punës në Shqipëri, duke ngritur alarmin për sigurinë e jetës nga punëdhënësit.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Konfederata e Sindikatave e cila thotë se edhe në këtë rast shkak ka qenë mosrespektimi i kushteve të sigurisë teknike. Duke radhitur të pesta rastet e këtij muaji, Konfederata shkruan se këto shifra janë dramatike për një vend të vogël si Shqipëria dhe institucionet nuk duhet të qëndrojnë indiferente.
Reagimi:
Alarm, 5 të vdekur nga aksidentet në punë në 1 muaj!
Në një kantier ndërtimi në Tiranë sot u shënua tragjedia e radhës, kur një 28 vjeçar humbi jetën pasi ra nga një lartësi e konsiderueshme.
Edhe këtë herë shkak i aksidentit në punë dyshohet mosrespektimi i kushteve të sigurisë teknike në punë, teksa Inspektoriati i Punës vijon të jetë në gjumë dimëror.
KSSH I shpreh ngushëllime familjes dhe kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ky është aksidenti I 5 në punë më viktima për këtë muaj.
Në 21 Maj në minierën e Martaneshin humbi jetën minatori Armand Peshku, dhe po në 21 maj në një gurore në Vlorë, humbi jetën punëtori Jurgen Veshaj.
Në 9 Maj në Shëngjin humbi jetën pasi ra nga lartësia punëtori I ndërtimit Emiljano Frroku, ndërsa dy ditë më pas në Shëngjin humbi jetën në punë punëtori i ndërtimit Dedë Gjoni.
Këto shifra janë dramatike për një vend të vogël si Shqipëria, ndaj institucionet që mos qëndrojnë indiferente.