Fjalimet patriotike kanë qenë gjithmonë mënyra më e mirë për të marrë duartrokitje të zgjatura për politikanët shqiptarë.
Shumë vite më parë ishte diktatori Enver Hoxha që propagandën patriotike e përdorte për ta bërë popullin të besonte se s’kishim nevojën e asnjë aleati, pavarësisht se shqiptarët vuanin për bukën e gojës.
Sot, në Shqipërinë demokratike, është dikush tjetër që e ka perfeksionuar propagandën patriotike. Ai është kryeministri Edi Rama, që kur shikon se e ka humbur besimin e qytetarëve për shkak të skandaleve të qeverisë, e gjen zgjidhjen te patriotizmi.
Në një kohë kur Shqipëria “ziente” nga afera e inceneratorëve, afera “5D” dhe skandale të tjerë ministrash, kryeministri vendos të bëjë një tur për të takuar shqiptarët në 4 shtete të ndryshme; Greqi, Itali, Angli dhe Gjermani.
E filloi nga Athina, që jo vetëm është më afër Shqipërisë, por Greqia është edhe shteti ku ka më shumë shqiptarë që kanë emigruar që në fillim të viteve ’90. Për Shqipërinë, ende nuk dihet nëse Greqia është shtet mik apo armik, pasi grekët kanë ende në fuqi “ligjin e luftës”, ndërkohë që kanë bllokuar edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian për shkak të çështjes “Beleri”.
Nga Athina, kryeministri i cilësoi shqiptarët si “të zotët e barabartë të shtëpisë, pasi sipas tij, shqiptarët dhe grekët duhet të jetojnë pa asnjë ndjenjë superioriteti nacionalist, për shkak të kulturës së përbashkët. Pas këtyre fjalëve mori edhe duartrokitjet e zjarrta të sallës, që për hir të së vërtetës, një pjesë e mirë ishte mbushur me punonjës të administratës të ardhur nga Shqipëria.
Një absurditet e quajti vendimin e Greqisë për të mbajtur në fuqi “ligjin e luftës”, ndërsa kujtoi edhe trajtimin mizor që Greqia u bënte shqiptarëve në vitet e para të emigracionit. Për këdo që i ka jetuar ato vte dhe vuajtje, sytë i kishte me lot, teksa dëgjonte kryeministrin e tij që “u qante hallin”.
Sulmet ndaj Greqisë nuk i ndali as në takimin e dytë me shqiptarët, këtë herë në Milano. Ndryshe nga Athina, këtë herë në Milano kishte më pak punonjës administrate. Takimi filloi me dokumentarin që tregonte vuajtjet e shqiptarëve që shkuan të parët në Itali, me anijet e mbushura me burra, gra e fëmijë që linin Shqipërinë për një jetë më të mirë.
Lotët në sytë e të pranishmëve nuk munguan, teksa fjala e Ramës filloi edhe mbaroi me propagandë patriotike. Ndërsa Italinë e cilësonte një shtet mik, Greqisë i kujtoi “njollën e turpit”, detyrimin që u bëri shqiptarëve për të ndryshuar emrat.
“Ju, shqiptarët e Italisë, nuk i ndryshuat emrat, detyrimisht dhe gjerësisht, siç u ndodhi tragjikisht qindra e mijëra vëllezërve dhe motrave tona në Greqi, për një të vetëm dhe të vlefshëm. Arsye, të cilën të gjithë e dimë shumë mirë. Është një njollë turpi në historinë e Evropës demokratike”, tha Rama.
Sulmet ndaj Greqisë sot janë më të vlefshme se kurrë për Ramën, që shqiptarëve t’u zgjohet sërish ndjenja patriotike dhe të harrojnë se çfarë bëhet në vendin e tyre, ku po vidhen çdo ditë miliona euro me tendera korruptivë.
Por, nëse sot Rama i ka shpallur “luftë” Greqisë, e kundërta ka qenë pak kohë më parë, kur kryeministri nuk kishte nevojë të fshihte ndonjë skandal të madh. Shqipëria dhe Greqia do të takohen në Hagë për çështjen e “detit”.
Kur ishte në opozitë, Rama nuk e pranoi marrëveshjen mes dy vendeve, me Gjykatën Kushtetuese që nuk e lejoi marrëveshjen që do t’i jepte Greqisë një pjesë të detit, ndërkohë që ishte i pari që rinisi bisedimet për marrëveshjen, teksa në Hagë, pala shqiptare duket më pak e favorizuar se ajo greke. Me shumë mundësi, deti po i jepet Greqisë.
Kjo nuk ishte është hera e parë që Rama është treguar i mirë me Greqinë. Për të ulur tensionet me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, Rama përuroi bustin e babait të tij, Konstantinos Mitsotakis në Dropull. Në fjalimin e tij, kryeministri i cilësonte shqiptarët dhe grekët si popuj vëllezër.
Por cilin Edi Ramë duhet të besojmë, atë që sulmon Greqinë me fjalime patriotike, apo atë që i përulet Greqisë?
Një shprehje thotë: “Për interesat e veta, Djalli citon dhe Biblën”!