Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në një minierë në Martanesh, ku raportohet se një minator ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.
Mësohet se viktima, bashkë me kolegë të tij, ishin duke punuar kur iu ra një masiv gurësh përsipër. Viktima dhe i plagosuri punonin si vagonist në minierë.
Për pasojë njëri prej tyre ka humbur jetën dhe një tjetër u plagos. Ky i fundit është dërguar me helikopter drejt Traumës për mjekim më të specializuar, për shkak të gjendjes së rëndë.
‘Me datë 21.05.2024, rreth orës 12.50, dyshohet se janë aksidentuar gjatë punës në një subjekt minerar në Thekën, Martanesh, shtetasi A.P., dhe H.B., të dy me detyrë vagonist në minierë. Si pasojë e plagëve të marra shtetasi A.P., ka humbur jetën, ndërsa shtetasi H.B., është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje’- njofton policia.