Si po dështojnë Komisionet Hetimore Parlamentare, opozita i bindet mazhorancës

U nisën si një marrëveshje për t’i dhënë fund aksionit opozitar që zgjati rreth 6 muaj, por po përfundojnë si kompromis mes palëve politike për t’u hedhur hi syve qytetarëve shqiptarë.

Komisionet Hetimore Parlamentare, ai për “Koncesionet në Shëndetësi” dhe “Vjedhja e të dhënave të TIMS”, filluan me bujë të madhe, por po shfryhen nga dita në ditë, me opozitën që po i bindet gjithmonë e më shumë mazhorancës, për t’i çuar hetimet aty ku nuk mund të vërtetohet asnjë shkelje.

Komisioni Hetimor për të dhënat e TIMS nisi më vrullshëm, me shpalljen e listës së dëshmitarëve që do të thirreshin, por vetëm pak javë më parë, me kërkesën e ekspertes së mazhorancës, nga ajo listë u hoqën dy nga njerëzit më të rëndësishëm, kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Për të dy, opozita nuk pati asnjë kundërshtim, por pranoi pa asnjë hezitim, pavarësisht se kryeministri Rama ka qenë personi më i akuzuar për këtë skandal nga vetë deputetët demokratë. Ndërkohë, opozita pranoi që ministri i Brendshëm, Taulant Balla, të dëshmonte me dyer të mbyllura, pasi sipas tij kishim të bënim me një “sekret shtetëror”.

Por “sekreti shtetëror” humbi që në momentin që të dhënat u vodhën nga një punonjës i pacertifikuar, që nuk dihet si u vendos në krye të Departamentit të IT-së në Policinë e Shtetit. Gjithashtu nuk mund të ketë asnjë sekret shtetëror, pasi qytetarët janë të informuar nga mediat se cilët janë grabitësit e të dhënave, pasi edhe SPAK ka hapur hetim dhe ka marrë të pandehur Ervin Muçën.

Për të kaluar në Komisionin Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, i cili në mënyrë të pakuptimtë kërkon të hetojë për Sterilizimin, në një kohë kur SPAK e ka mbyllur dosjen dhe ka çuar për gjykim disa ish-zyrtarë të lartë, mes tyre edhe Ilir Beqajn, ish-ministrin e Shëndetësisë.

Sot, pas disa javësh bojkot nga mazhoranca, të dy palët gjetën dakordësinë dhe iu bindën kërkesës së ekspertes së Partisë Socialiste për të verifikuar në terren koncesionet, si dhe për të pyetur mjekët dhe pacientët.

E gjitha duket një skenar i mirëmnduar, pasi kontrollet në spitale nuk do të nxjerrin asgjë tjetër veçse të mirat që ka sjellë koncesioni i Sterilizimit. Po, koncesioni i Sterilizimit ishte i domosdoshëm për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjikale, problemi i vetëm ishte shuma disa herë më e lartë që u pagua për këtë koncesion.

Por këtë e ka zbuluar SPAK, që ka lënë në burg biznesmenin Ilir Rrapaj që do të përfitonte 100 milionë dollarë nga ky koncesion. Ndaj, opozitës nuk i ngelet gjë tjetër, por të shikojë “punën e mirë” që qeveria ka bërë në spitale.

Për sa i përket pyetjes së mjekëve dhe pacientëve në lidhje me këto koncesione, kjo pikë e planit të punës të sjell ndërmend kohën e pandemisë, kur kamerat dhe gazetarët e financuar nga pushteti hynin brenda spitaleve COVID për të pyetur stafin dhe pacientët. Mjekët dhe infermierët flisnin me superlativa për kushtet e punës, ndërsa infermierët lavdëronin mjekët që po kujdeseshin për ta.

E gjithë kjo përpara kamerave, pasi pas tyre nuk dihet sa njerëz u lanë të vdisnin për shkak të mungesës së kushteve dhe stafit nëpër spitale.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe me pyetjet që “gazetarët opozitarë” do t’u bëjnë mjekëve dhe pacientëve. Në fund, të gjitha hetimet do të jenë të pavlefshme, pasi drejtimin e hetimeve e kanë marrë socialistët, që po i drejtojnë edhe opozitarët në rrugë të gabuar.

Në rastin më të keq, është opozita që po luan rolin në një shfaqje teatrale të shëmtuar të Komisioneve Hetimore.