Kërkesa e ministrit të Brendshëm Taulant Balla që mbledhja e Komisionit Hetimor të TIMS të zhvillohet me dyer të mbyllura, ku ai do të dëshmojë ka nxitur debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Por, kryetari i komisionit Ervin Salianji nuk pranoi dhe refuzoi kërkesën për ta hedhur në votim pa u paraqitur fillimisht Balla, duke sjellë reagimin e anëtarëve të mazhorancës
Deputeti socialist Toni Gogu i ka bërë thirrje Salianjit që të hedhë në votim kërkesën por, demokrati i ka thënë se duhet që të paraqitet fillimisht ministri Balla që të parashtrojë se cilat çështje i ka të klasifikuara si sekret shtetëror.
“Rendi i ditës i dakordësuar nga palët, ka thërritur si dëshmitar ministrin e Brendshëm, Balla, të vijë dhe ta bëjë parashtrimin e kërkesën dhe ta diskutojë para anëtarëve të këtij komisioni. Të pyesim ekspertët. Sipas rendit të ditës, ju lutem njoftoni dëshmitarin e parë të këtij komisioni të parashtrojë, të ftoni ministrin e Brendshëm ta shprehë vetë dhe të diskutojmë se cilat informacione janë të klasifikuara.
Shpallim në kërkim Ballën, punonjësit e gardës ta gjejnë se ku është fshehur. Duhet të vijë. Pasi të vijë Balla dhe të marrë fjalën atëherë do flasim. Ejani këtu dhe të flasim. Nuk bëhet kjo me sufler dhe me njerëz që bëjnë si të shqetësuar. Kur të vijë ministri dhe ta parashtrojë kërkesën atëherë e vendosim”– u shpreh Salianji.
Ndërkohë socialistët, vendosën që të braktisnin në mes mbledhjen dhe u larguan, pasi kërkesa e Ballës u refuzua nga demokratët.