Korrupsioni vijon të mbetet plaga e madhe e hapur për shqiptarët, pavarësisht krijimit të SPAK dhe arrestimit të shumë zyrtarëve të mëdhenj. Kjo është ajo që mendojnë qytetarët shqiptarë, të pyetur nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, me rezultatet e anketimit që u publikuan sot.

Për sa i përket tipit të korrupsionit në vend, qytetarët mendojnë se vjedhja dhe shpërdorimi i fondeve mbetet në vend të parë, ndërsa më pas vjen përdorimi i pushtetit për interesat personale apo për një grup të caktuar njerëzish.

Sipas qytetarëve të pyetur, vendi po ecën në drejtimin e gabuar. Në vetëm 2 muaj, nga dhjetori në shkurt, mendimi i qytetarëve ka pësuar një ndryshim të madh. Në dhjetor, 58% ,mendonin se vendi po ecte në drejtimin e duhur, ndërsa në shkurt vetëm 46% mendojnë të njëjtën gjë.

Shqiptarët nuk mendojnë se e ardhmja do të jetë më e mirë për ta, edhe pse pjesa më e madhe e tyre shpreson që kjo të ndodhë. Janë 5% më pak qytetarë të pyetur që mendojnë se gjërat do të përmirësohen në të ardhmen, ndërsa numri i atyre që shpresojnë për më mirë, ka mbetur i njëjtë.

Kostoja e lartë e jetesës, me çmimet që vetëm rriten dhe pagat mbeten të ulëta, janë një tjetër problem madhor i qytetarëve shqiptarë. 68% e tyre, 5% më shumë se në muajin dhjetor, mendojnë se ky është një prej problemeve më të mëdha me të cilin ata ndeshen çdo ditë.

“Qeveria punon për një grup të caktuar personash dhe jo për qytetarët”. Ky është mendimi i 63% e shqiptarëve të pyetur nga IRI, teksa edhe kjo shifër pëson rritje me 4 pikë nga anketa e muajit dhjetor
