Takimi me “emigrantët” e Greqisë, duket se ka shuar dyshimet e fundit të kryeministrit Edi Rama në lidhje me votën e emigrantëve.
Stadiumi “Galatsi”, ku Rama tentoi të mblidhte në 12 Maj shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi, ishte dëshmitar i një mbledhje që më shumë i ngjante fushatave të Partisë Socialiste se sa një takimi të kryeministrit të vendit me emigrantët.
Dhjetëra autobusë ishin bërë gati që të shtunën për t’u nisur drejt Athinës, të mbushur me njerëz të administratës dhe të afërm të tyre, të detyruar që të shkonin dhe të brohorisnin liderin e tyre politik dhe për të ruajtur vendin e punës.
Këtë e provoi më së miri drejtori i Teatrit të Fierit, që me naivitetin më të madh, tregoi para kamerave të fshehura të emisionit “Piranjat” se ishte detyruar të shkonte aty, pasi siç tha edhe vetë, “marrim rrogën vëlla, s’kemi ç’bëjmë”.
Sot, ai njoftoi dorëheqjen nga pozicioni që mbante, vetëm sepse tha një të vërtetë që pushteti nuk do ta pranojë, pasi kanë filluar të besojnë edhe propagandën që shpikin vetë.
Në Athinë ishin shpërngulur pothuajse të gjithë kryebashkiakët socialistë, të shoqëruar nga drejtorët e tyre dhe shefa të tjerë, të cilët postonin edhe foto apo video me ata që i cilësonin “emigrantë”, por në të vërtetë ishin njerëz me të cilën kishin bërë rrugën në autobus drejt Greqisë.
Por, pavarësisht kësaj shfaqje të “montuar” denjësisht për qeverinë, mesazhi që emigrantët i dhanë Ramës ishte i qartë, ata nuk besojnë te kjo qeveri.
Bojkoti për të marrë pjesë masivisht në takimin me kreun e qeverisë shqiptare mund të ketë shuar edhe shpresat e tyre për të votuar, pasi sot më shumë se kurrë, Rama e ka të qartë se vota e tyre do të ishte kundër tij dhe në favor të partive opozitare.
Deri pak kohë më parë, mazhoranca ia ka faturuar fajin mungesës së një databaze të dhënash të emigrantëve, por ky justifikim do të vijojë të zgjasë edhe për disa vite, për të mos lejuar emigrantët shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e tyre në Shqipëri.
Tashmë, nuk ekziston asnjë lloj vullneti politik nga mazhoranca për votën e diasporës, ndaj edhe diskutimi në Komisionin e Reformës Zgjedhore pritet të jetë sa për të kaluar radhën.
Mosbindja ndaj Ramës ndëshkohet dhe këtë e ka treguar më së miri rasti i Arben Ahmetajt. Këtë herë ishte radha e emigrantëve!