Detaje të reja janë zbuluar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi disa minuta më parë në fshatin Baltëz në Fier, ku një efektiv u vra me armë zjarri.
Mësohet se babai i viktimës 28 vjeçar është po ashtu polic dhe në momentin kur u raportua ngjarja ai ishte në krye të detyrës, në sallën operative.
I riu Novruz Cenaliaj ishte me uniformën e punës duke shkuar për në punë, kur dyshohet se është konfliktuar për një vend parkimi. Megjithatë ka dyshime edhe se ngjarja mund të ketë ndodhur për gjakmarrje, pasi babai i viktimës ka vrarë një person para disa vitesh në Has.
Autori është Asllan Mernica, I cili u largua nga vendngjarja me një Audi ngjyrë blu, direkt pas vrasjes.
Policia dhe RENEA kanë rrethuar zonën dhe po punohet për kapjen e autorit. Drejt vendngjarjes është nisur drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku.
Njoftimi i policisë:
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.