Rezultatet e dobëta në testin PISA, Manastirliu si Rama, ia vë fajin pandemisë dhe tërmetit

Deputetja demokrate Ina Zhupa ka thirrur në interpelancë ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në lidhje me rezultatet e dobëta në testin PISA, si një këmbanë  alarmi për arsimin në  vend.

Manastirliu në  fjalën e saj në Kuvend, ashtu si kryeministri Edi Rama ka gjetur fajtorët, duke thënë se kanë ndikuar disa faktorë, mes tyre pandemia dhe tërmeti.

Ajo“kopjoi” deklaratën e Ramës, i cili më herët kishte thënë se rezultatet e dobëta në arsim lidheshin edhe me pandeminë .

Manastirliu tha se e pranojnë që performanca në PISA nuk ishte ajo që qeveria donte, por u justifikua duke thënë se ka dhe shumë vende të zhvilluara që janë ulur në renditje.

“Çështja e arsimit kërkon bashkëpunimin e të gjitha palëve. Ne nuk fshihemi pas gishtit nuk pranojmë dot të themi që PISA ishte performancë që ka ecur në hapin që ne do të donim, por kemi bërë një analizë si një vlerësim që në kontekstin ndërkombëtar është lexuar nga ekspertët më të mirë. Për të dhënë një kontekst, ka vende shumë të zhvilluara si Gjermania që në 2022 u ul me 25 pikë. Performanca jonë ishte në ulje, por u ndikua nga disa faktorë, kemi bërë analizë për të marrë masa. Ka pasur faktorë që kanë ndikuar, si pandemia, tërmeti”, tha ajo.