Teksa në orën 16:30 do të nisë protesta e opozitës, Kryesia e Këshillit Bashkiak ka vendosur që të zhvendos online mbledhjen.
Këshilltarët e opozitës ndërkohë kanë thënë për mediat se janë njoftuar vetëm 30 minuta më përpara për mbledhjen online, e cila është parashikuar të mbahet në të njëjtin orar me protestën. Ndërkohë teksa ishin jashtë derës kryesore te bashkisë, ata i kanë bërë thirrje policisë për të hapuar dyert për tu futur brenda dhe të marrin pjesë në mbledhjen online.
Në një e-mail drejtuar anetareve te Keshillit, thuhet se vendimi u mor me dakordësinë e shumicës së anëtarëve të Kryesisë së Këshillit prezent në mbledhje, me qëllim garantimin e sigurisë.
“Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak! Kryesia e Këshillit Bashkiak zhvilloi online mbledhjen sot, datë 30 prill 2024, ora 15:00, me shumicën e anëtarëve prezentë.
Në zbatim të Rregullores për Organizimin dhe Funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë, neni 24, pika 2, “Kryesia, është organ konsultativ që kujdeset për mbarëvajtjen e punës së këshillit, gjatë dhe midis dy mbledhjeve të tij” me dakordësinë e shumicës së anëtarëve të Kryesisë së Këshillit prezent në mbledhje, me qëllim garantimin e sigurisë së këshilltarëve, u vendos që mbledhja e Këshillit Bashkiak njoftuar për datën 30 prill, ora 16:30, të zhvillohet online. Sa më sipër, lutemi, gjeni më poshtë linkun për pjesëmarrjen”, thuhet ne emailin drejtuar anetareve.