Ka nisur protesta e opozitës dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit përpara Bashkisë së Tiranës, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Kjo është protesta e katërt që zhvillohet përpara Bashkisë, ndërkohë që organizatorët kanë marrë leje për të protestuar deri në orën 20:00, ndaj edhe Policia e Shtetit ka shtuar masat dhe numrin e efektivëve.
Gjatë protestës së kaluar, qytetarët hodhën molotov në drejtim të godinës, teksa 4 prej tyre u arrestuan, por u lanë të lirë pak ditë më vonë me masë sigurie “detyrim paraqitje”.
Opozita ka paralajmëruar protesta deri në largimin e Veliajt, të cilin e akuzon si bashkëpunëtor të ish-drejtorëve të arrestuar, të cilët nëpërmjet kompanisë “5D” merrnin tenderat e institucionit ku punonin.
Gjithashtu Veliaj akuzohet nga opozita si pronari faktik i inceneratorit të Tiranës, për të cilin janë dhënë dhe vijojnë të jepen dhjetëra miliona euro, por ai incenerator nuk ekziston dhe mbeturinat vijojnë të groposen.