Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e Fredi Belerit, i cili kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës.
Beleri, i cili ndodhet në burg që prej datës 12 maj të vitit të kaluar, kishte bërë rekurs vendimin e Apelit të GJKKO-së, që i refuzoi kërkesën për t’u lejuar që të betohet.
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka shpallur fajtor më 5 mars kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës për blerje votash duke e dënuar me dy vite heqje lirie.
Kërkesat e tij për t’u liruar nga qelia dhe për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, pasi fitoi zgjedhjet vendore të 14 majit, janë refuzuar nga shkallët e gjyqësorit.
Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jorgo Goro, i cili garonte për mandatin e tij të katërt. Megjithëse i arrestuar, Beleri u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit për Himarën.