Një vendim gjykate dhe një listë me borxhe!

Gjykata vendosi, naftëtarët e rafinerisë së Ballshit duhet të marrin të gjitha pagat e prapambetura!

Ky ishte vendimi që solli shpresë te qindra familje naftëtarësh, se më në fund do merrnin atë që u takonte për punën e bërë, dhe asnjë qindarkë më shumë se sa meritonin.

Por, kur po bëhen 5 vite nga ai vendim i formës së prerë, naftëtarët nuk kanë marrë asgjë. Kanë tentuar të komunikojnë me ministren Belinda Balluku, me kryeministrin Rama, kanë protestuar, por kanë marrë vetëm premtime bosh dhe dyer që u janë mbyllur përpara fytyrës.

Marrëveshja për të marrë një ndihmë ekonomike pas mbylljes së rafinerisë nuk u ka mjaftuar, pasi në qershor kjo marrëveshje mbyllet dhe naftëtarët do të jenë sërish të detyruar të protestojnë, për të marrë atë që meritojnë.

Rafineria e Ballshit, që për më shumë se 40 vite ishte në gjendje shumë të mirë pune dhe i sillte miliona euro të ardhura shtetit, filloi të degradonte pas privatizimit. Fillimisht me Rezart Taçin dhe më pas me disa pronarë të tjerë që pasi grumbullonin disa miliona euro, e linin me borxhe në shtet dhe me paga të prapambetura.

Sot, rafineria është zhdukur, pasi edhe hekurat e fundit ia çuan për skrap, ndërkohë që Ballshi po “vdes” nga dita në ditë, për shkak të papunësisë, varfërisë dhe emigracionit.

Naftëtarët ende vijojnë të mbajnë me shpresë vendimin e gjykatës, ndërkohë që në marketet e qytetit, pronarët mbajnë listat me borxhe, duke pritur që një ditë ato të shlyhen, pavarësisht se shpresat veniten gjithmonë  emë shumë.

Sipas përllogaritjeve, janë rreth 8-9 milionë euro që duhen për t’u dhënë naftëtarëve pagat e prapambetura. Kjo shifër, është më pak se 1 kilometër rrugë në tenderat abuzivë të qeverisë, më pak se pagesat që jepen për inceneratorët, më pak se afera korruptive e sterilizimit.

Naftëtarët po presin, edhe pse e dinë që me fillimin e fushatës elektorale, premtimet do të vijojnë të jenë të njëjtat. Ata presin, me dorën te vendimi i gjykatës dhe me mendjen te lista e borxheve.