Tentoi të vriste gruan duke e shtypur me makinë, arrestohet 50 vjeçari në Kavajë

Një 50 vjeçar është arrestuar nga Policia e Kavajës pasi prej dy vitesh ishte në kërkim për tentativë vrasje ndaj gruas së tij.

Rakip Meçaj kishte goditur me makinë bashkëshorten në korrik të vitit 2022, ndërkohë që kjo e fundit ishte me urdhër mbrojtjeje.

Njoftimi i policisë:

Komisariati i Policisë Kavajë finalizoi operacionin e koduar “Break”.

Gjatë operacionit është kapur shtetasi Rakip Meçaj., 50 vjeç, banues në Rrogozhinë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Durrësit, me vendimin e datës 07.07.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Dhuna në familje”. Në muajin korrik të vitit 2022, ky shtetas ka tentuar të vrasë, duke e goditur me automjet, bashkëshorten e tij, e cila ka qenë me urdhër mbrojtjeje.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Durrës.