As një muaj në burg/ Ndërtoi pa leje hotelin 7-katësh dhe më pas e legalizoi, lirohet nga qelia ish-drejtori i Aluiznit në Sarandë

Gjykata e Apelit ka liruar sot nga qelia ish-drejtorin e Aluiznit Sarandë, Mariel Murati, i arrestuar pasi ndërtoi pa leje një hotel 7-katësh në Sarandë dhe më pas e legalizoi.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “ndërtim i paligjshëm” dhe “falsifikim dokumentesh” pas kërkesës së Prokurorisë së Rrethit por ka qenë gjyqtari Genti Shala ai që ka ndryshuar vendimin, duke vendosur lirimin nga qelia për 47-vjeçarin. Ky i fundit qëndroi vetëm 26 ditë në burg, pasi u vetëdorëzua më 27 mars në polici.

Mësohet se Murati kishte marrë leje për rikonstruksionin e një objekti ekzistues të blerë nga ana e tij, por e kishte rrënuar të gjithin duke e ndërtuar pa leje nga fillimi e duke shtuar më shume kate se sa ekzistuesi.

Pas kësaj ai ka arritur ta legalizojë objektin pa leje, hotel i cili është vendosur dhe funksionon si i tillë prej rreth 2 vitesh. Të gjitha këto veprime kanë ndodhur pasi ai e kishte lënë detyrën e drejtuesit të Aluiznit Sarandë dhe ishte emëruar në një detyrë tjetër drejtuese.