Rritja e kostove të brendshme dhe ulja e kërkesës në tregun ndërkombëtar ka çuar në faliment prodhuesit vendas që tashmë po hedhin sytë drejt turizmit dhe ndërtimit.
Njësitë më të vogla të prodhimit, me rreth 100 punonjës, kryesisht në prodhimin e këpucës, po diversifikohen në sektorët e turizmit dhe pasurive të paluajtshme. Ndërsa fabrikat më të mëdha me rreth 200 punonjës duket se po i mbijetojnë krizës edhe pse të zhytur në borxhe, po vijojnë aktivitetin e tyre.
Me qindra fasoneri po përballen me falimentin, teksa fabrikat më të mëdha po shikojnë rënie drastike të porosive. Por ata që preken më shumë janë punonjësit, të cilët kanë punuar me vite në këtë sektor. Përshtatja në një sektor tjetër do të jetë shumë e vështirë për ta. Ndaj dhe mbyllja e këtyre fabrikave po lë të papunë me mijëra shqiptarë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në fabrikat e prodhimit të këpucës ishin të punësuar rreth 20 mijë persona në vitin 2022, por të dhënat nga industria tregojnë se një pjesë e madhe e tyre kanë humbur punën muajt e fundit.
Mosha mesatare e punonjësve në fabrikat e këpucëve është rreth 50 vjeç, çka do të thotë se për këtë kategori përshtatja me një punë tjetër do të ishte e pamundur.
Falimentet më të mëdha kanë ndodhur në rrethe dhe në fabrika që kishin të punësuar nën 120 punonjës, që punonin kryesisht me nënkontraktim, të cilat kishin norma më të ulëta fitimi dhe nuk ishin në gjendje të përballonin krizën.
Shqipëria krijoi një emër të mirë sidomos në tregun italian dhe fabrikat nisën të prodhonin për segmentet e larta të konsumit, me një çmim më të lartë. Mirëpo lufta në Ukrainë ndryshoi sjelljen konsumatore, që e kombinuar me ndryshimin e stilit të jetesës, e ka goditur rëndë industrinë e prodhimit në Shqipëri. Faktorët e brendshëm si nënçmimi i euros dhe rritja e pagave minimale po bëjnë që shumë njësi të ulin përgjithmonë qepenat e aktiviteteve.
Në vitin 2023, eksportet e këpucës në sasi shënuan rënie vjetore me 16%, e cila vijoi me të njëjtat ritme edhe në janar 2024.
Të gjendur në këtë situatë janë detyruar që të ndryshojnë drejtim dhe ti orientojnë bizneset e tyre drejt turizmit dhe ndërtimeve.
Aktivitetet e pasurive të paluajtshme panë zgjerimin më të madh të numrit të bizneseve në vitin 2022, me rritje vjetore mbi 45% sipas burimeve zyrtare nga INSTAT.
Po ashtu rritja ka qenë e fortë edhe në vitin 2023, si rrjedhojë e zhvillimeve të vrullshme në ndërtim dhe turizëm.
Por ndërsa një pjesë e grave që kanë punuar në këto fasoneri mund të integrohen në një punë tjetër, shumë të tjera tashmë gjenden pa punë, duke sjell vështirësi edhe më shumë për familjet e tyre, duke marrë parasysh edhe rritjen e kostove të jetesës.