Pse është koha që NATO të dërgojë trupat e saj në Ukrainë

Nga Edward Luttwak “Unherd”

Në vitin 1944, Lezli Grovs, gjenerali i ushtrisë amerikane që menaxhoi “Projektin Manhatan”, e pyeti krye-shkencëtarin e tij, J.Robert Openhajmer, se sa e fuqishme mund të ishte bomba e tyre e re. A do të ishte ajo 10 herë më e fuqishme se bomba më e madhe e kohës, “bomba që sillte tërmet” siç quhej ndryshe predha “Tallboy” e Forcës Mbretërore Ajrore (RAF-it britanik)?

Apo ndoshta 50 herë, apo edhe 100 herë? Openhajmer u përgjigj se ai nuk mund të ishte i sigurt. Madje në atë kohë, ai kishte frikë se reaksioni shpërthyes zinxhir mundet që të mos ndodhte fare. Gjithsesi në teori, shkencëtari priste një bombë shumë më të fuqishme sesa 100 “Tallboys” (një predhë 5.1 ton).

Grovs reagoi menjëherë, duke i thënë se një armë kaq e fuqishme nuk do të ishte shumë e dobishme për askënd, pasi “politikanët” nuk do të guxonin kurrë ta përdornin atë. Në një periudhë afatshkurtër, Grovs e pati gabim, ndërsa supozimi i Openhajmerit ishte i saktë. Bomba e uraniumit që u hodh në Hiroshima, ishte në fakt më e fuqishme se 1000 “Tallboys”. Ndërsa bomba me plutonium që u hodh mbi Nagasaki, ishte akoma më e fuqishme. Por vetëm 5 vjet më vonë, u vërtetua parashikimi i Grovs. Në fillim Shtetet e Bashkuara, më pas Bashkimi Sovjetik, dhe më tej çdo fuqi bërthamore, arritën ta kuptojnë se armët e tyre bërthamore ishin shumë të fuqishme për t’u përdorur në luftime.

Kjo ka mbetur e vërtetë në 7 dekadat që pasuan, deri në pushtimin e Ukrainës. Sepse, pavarësisht kërcënimeve bërthamore të Putinit, edhe ai është subjekt i parashikimit të Grovs. Disa dekada pas bisedës së tij me Openhajmer, një përmbledhje e shkurtër e fakteve historike mbi armët bërthamore, na mëson shumë rreth situatës në Ukrainë, por edhe mënyrës sesi fitorja atje mund të arrihet vetëm me mjete shumë më konvencionale.

Testi i parë i epokës bërthamore ndodhi gjatë Luftës Koreane. Në dhjetorin e vitit 1950, qindra mijëra ushtarë kinezë kaluan lumin Jalu për të mbështetur aleatët e tyre koreano-veriorë kundër SHBA-së. Në kushtet kur rrezikonte të humbte dhjetëra mijëra trupa në front, gjenerali Dagllas Mekartur propozoi përdorimin e armëve bërthamore për të ndalur kinezët.

Duke qenë udhëheqësi më i respektuar ushtarak amerikan i kohës – kishte udhëhequr forcat amerikane në Paqësor, më pas ishte de fakto udhëheqës i Japonisë në vitet e para të  reformimit – Mekartur priste që Truman të ishte dakord me të. Por përgjigja ishte një “Jo” e prerë.

Mekartur këmbënguli, ndaj u shkarkua nga detyra. Truman e dinte se që nga bombat e Hiroshimës dhe Nagasakit, natyra e luftës kishte ndryshuar rrënjësisht. Kur ai i autorizoi ato sulme, as ai dhe as askush tjetër, nuk e dinin se shpërthimet do të shkaktonin edhe një rrezatim shumë të madh, që do të sëmurte dhe madje do të vriste mijëra njerëz që ndodheshin shumë kilometra larg vendit të shpërthimit.

Për më tepër në vitin 1945, Truman ishte përballë mundësisë së humbjes së shumë më tepër trupave amerikane gjatë pushtimit të Japonisë, sesa gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore deri në atë moment. Japonezët ishin të vendosur të luftonin deri në ushtarin e fundit, dhe kishin ende në dispozicion rreth 2 milionë trupa.

Truman do të ishte dëbuar nga Shtëpia e Bardhë, në rast se do të kishte lejuar vdekjen e qindra mijëra amerikanëve duke refuzuar përdorimin e bombës. Por 5 vjet më vonë, situata ishte shumë e ndryshme. Përballë katastrofës në Kore, Truman kishte alternativën e evakuimit të trupave amerikane në Japoni nëse dështonte gjithçka tjetër – ndaj ai as që e çoi nëpër mend përdorimin e armëve bërthamore.

Nën presidentin e ardhshëm të SHBA-së, bombat bërthamore me mekanizmin e ndarjes evoluan në bombat me shkrirje termonukleare, dhe u bënë të paktën 100.000 herë më të fuqishme se “Tallboy”. Dhe kjo e bëri edhe më të vendosur “Jo”-në Truman-it të vitit 1950. Abstinenca bërthamore, u bë e vetmja zgjedhje e mundshme për amerikanët dhe rusët, siç e tregoi edhe Kriza e Raketave Kubane. Megjithatë, do të duhej të kalonin edhe disa ngjarje të tjera që kjo logjikë të shndërrohej në një doktrinë.

Pas krijimit të NATO-s 75 vjet më parë sot, por sidomos në vitet 1960-1970, u bënë përpjekje për të nxjerrë ndonjë avantazh shtesë nga armët bërthamore, si dhe për të fituar një lloj avantazhi për aleancën e re perëndimore. Të ashtuquajturat armë bërthamore “taktike” u bënë por shumë më pak të fuqishme, me supozimin se mund të përdoreshin në fushën e betejës. Mbrojtësit e tyre pohuan se ato mund të siguronin një fuqi zjarri shumë më të lirë në aspektin ekonomik. Armët e vogla bërthamore, mund të kishin efektin e qindra topave të marrë së bashku. Ushtria amerikane dhe ajo  sovjetike u pajisën me mijëra armë bërthamore. Jo vetëm me bomba “të vogla” për bombarduesit luftarakë, por edhe me raketa të vogla që mund të transportoheshin me një xhip të thjeshtë, raketa kundërajrore dhe silurë.

Por ky iluzion nuk mund të rezistonte edhe për shumë kohë. Strategët ushtarakë arritën ta kuptonin, se nëse komandantët amerikanë do të përpiqeshin të mbronin territorin e NATO-s duke sulmuar forcat pushtuese sovjetike me armë të vogla bërthamore “taktike”, rusët do të përdornin arsenalin e tyre për të shkatërruar forcat perëndimore mbrojtëse.

E njëjta gjë do të ndodhte me çdo përpjekje për të zëvendësuar forcën ushtarake konvencionale me armë bërthamore. Kësisoj u kuptua se ndërsa armët bërthamore janë një mjet parandalues i dobishëm, ato mund të përdoren vetëm për të reaguar ndaj një sulmi të mëparshëm bërthamor dhe kurrë për të arritur asnjë lloj fitoreje.

Ndaj që në vitet 1970, kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik u angazhuan në negociatat e mbi “Kufizimin e Armëve Strategjike”, zyrtarët nga të dyja palët ranë shpejt dakord që të ndalonin në heshtje zhvillimin, prodhimin dhe vendosjen e armëve të reja bërthamore “taktike”, duke çmontuar dhjetëra mijëra prej tyre.

Kur propagandisti më i zhurmshëm i Putinit, Dimitri Medvedev, nisi të flasë për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore “taktike”, pas dështimeve fillestare të forcave ruse në front në vitin 2022, ishin vetëm gazetarët më pak kompetentë dhe të bindurit ndaj Moskës, që i bënë jehonë paralajmërimeve të tij.

Pas disa muajsh vetë Putin deklaroi publikisht:Rusia do të përdorë armët e saj bërthamore vetëm “nëse kërcënohet vetë ekzistenca e shtetit”, pra nga një kërcënim bërthamor. Situata në Ukrainë ka ndryshuar muajt e fundit, por vlen e njëjta logjikë.

Në vend të rusëve të frustruar të zhytur në llogoret e tyre, tani i pasigurt po duket pozicioni i ukrainasve. Kievi e justifikon krizën si një çështje materialesh, dhe kërkon vazhdimisht armë më të mira nga Perëndimi. Megjithatë, ndërsa mund të dërgohen më shumë armë dhe raketa, është e qartë se ajo që po e detyron Kievin të tërhiqet nuk është mungesa e fuqisë së zjarrit por e ushtarëve.

Vetëm këtë javë ka nisur rekrutimi i ri i burrave nën moshën 27 vjeç, një moshë goxha e madhe në krahasim me normën globale 18 vjeç. Zelenski tani e ka ulur këtë normë në 25 vjeç. Por në kushtet kur shumë ukrainas janë të përjashtuar nga shërbimi, totali i forcave të tij të armatosura arrin në më pak se 800.000 personel aktiv.

Ky total është ende shumë i ulët për një popullsi që i kalon 30 milionë në vend, duke pasur parasysh se Izraeli mund të nxjerrë me shpejtësi në front një ushtri prej rreth 600.000 trupash nga një popullsi prej vetëm 8 milionë banorësh. Kjo do të thotë se nëse Putin nuk vendos t’i japë fund luftës, ushtria ukrainase do të humbasë ushtarë që nuk mund të zëvendësohen.

Dhe Rusia nuk është e detyruar të dërgojë në luftë trupat e saj më të mira, por vetëm ushtarë vullnetarë me kontratë, të joshur nga paga e mirë, ose të burgosur që vuajnë dënime penale të zakonshme, të rekrutuar direkt nga qelitë e tyre. Megjithatë, pavarësisht nga cilësia, ushtria ruse është tashmë më e madhe se ajo ukrainase, dhe hendeku po bëhet më i madh çdo ditë.

Në këto kushte, vendet e NATO-s do të duhet që të dërgojnë së shpejti ushtarët e tyre në Ukrainë, përndryshe do të pranojnë humbjen më pasoja katastrofike të Kievit. Britanikët dhe francezët, së bashku me vendet nordike, janë duke u përgatitur tashmë në heshtje për të dërguar trupa – si njësi të vogla komando, ashtu edhe personel logjistik dhe mbështetës – të cilët mund të qëndrojnë larg vijës së parë frontit.

Këta të fundit mund të luajnë një rol thelbësor, duke i dhënë mundësi homologëve të tyre ukrainas për t’u ri-përshtatur në role luftarake. Ndërkohë njësitë e NATO-s mund t’i zëvendësojnë ukrainasit që merren aktualisht me mbledhjen dhe riparimin e pajisjeve të dëmtuara, dhe mund të marrin përsipër proceset teknike të programeve ekzistuese të trajnimit për rekrutët e rinj.

Këta ushtarë të NATO-s mund të mos përjetojnë kurrë luftime në front, por ata nuk duhet ta bëjnë këtë për të ndihmuar Ukrainën të shfrytëzojë sa më shumë fuqinë e saj të pakët njerëzore. Nëse Evropa nuk mund të sigurojë trupa të mjaftueshme, atëherë Rusia do të dominojë në fushën e betejës.

Dhe ndonëse mund të ndërhyjë me sukses diplomacia për të shmangur një disfatë të plotë, fuqia ushtarake ruse do të jetë rikthyer me triumf në Evropën Qendrore. Në atë pikë, duan apo nuk duan, fuqitë e Evropës Perëndimore do të jenë të detyruara të rindërtojnë me themel forcat e tyre të armatosura, duke nisur nga rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Shënim:Edward Luttwak, strateg dhe historian i njohur mbi librat e tij mbi strategjinë e madhe, gjeo-ekonominë, historinë ushtarake dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.