Mollë (Redi) dhe vezë drejt Bashkisë së Tiranës, tensionohet protesta e qytetarëve

Eshtë përshkallëzuar situata brenda pak minutash në protestën e qytetarëve të Tiranës para godinës së kësaj bashkie. Ata kanë qëlluar me vezë dhe mollë drejt ndërtesës dhe policisë.

Në disa prej mollëve shihet i shkruar emri Redi, duke iu referuar Redi Mollës, ish drejtorit të arrestuar i Ujësjellësit të Tiranës, i cili akuzohet nga SPAK për veprat penale të korrupsionit dhe fshehjes së pasurisë.

Situata është tensionuar, në momentin që këshilltarët e Partisë Demokratike kanë tentuar të futen brenda Bashkisë, por nuk janë lejuar nga policia, duke shkaktuar tensione dhe përplasje.

Në perimetrin rreth Bashkisë kanë zbarkuar forca të shumta policie me në krye kreun e policisë së kryeqytetit Tonin Vocaj.

Qytetarët dëgjohen teksa thërrasin njëzëri “Hajdut!!”. Protesta vjen kundër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas arrestimit të drejtorëve të institucionit që ai drejton për abuzime me tenderët dhe përfitimin e milionave me kompaninë “5D”.