Deputeti Agron Shehaj ka lënë sallën e seancës plenare, pasi nuk ka rënë dakord të votojë ligjin për Amnistinë Penale, ku janë futur edhe disa amendamente që lënë vend për interpretim dhe mund të sjellin uljen e dënimit edhe për ish-zyrtarët e dënuar nga Gjykata e Posaçme.
Në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, ai u shpreh se nuk do të bëhet pjesë e kësaj loje, teksa shtoi se votimi i kësaj Amnistie është mesazh i qartë për SPAK-un, që Prokuroria i kap dhe Kuvendi i liron.
“Jemi në një moment të veçantë në lidhje me luftën kundër korrupsionit. Çdo ditë ministra, deputetë, kryetarë bashkish, paraqiten në dyert e SPAKU-ut për të dhënë llogari.
Çfarë bën Parlamenti në një situatë të tillë? Fut në moment në momentin e fundit, totalisht në mungesë transparence, amnistitë për faljen e zyrtarëve të korruptuar.
Ky është fakt. Nuk është e qartë se çfarë niveli prek, por është është fakt që i amniston. Mesazhi është i qartë; ju i kapni, ne i nxjerrim. Ky është mesazh për SPAK-un. Unë nuk bëhem pjesë e kësaj loje. Vendi ka nevojë për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Amnistia shkon në drejtim krejtësisht në kundër”, u shpreh Shehaj.