Një fëmijë ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë nga të shtënat me armë zjarri në një shkollë në Finlandë, bëjnë me dije mediat e huaja.
Mësohet se një 12-vjeçar ka qëlluar me armë në drejtim të bashkëmoshatarëve të tij dhe për pasojë një i mitur vdiq në vend dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.
Autori i ngjarjes u ndalua pak pas ngjarjes tragjike që ndodhi në një klasë në shkollën Viertola në Vantaa në veri të kryeqytetit Helsinki.
Pasi lajmi për të shtënat u bë publik në media, prindërit u mblodhën në shkollë për të marrë fëmijët e tyre, megjithëse ndërtesa ku ndodhi ngjarja u rrethua për arsye sigurie.
“Rreziku i menjëhershëm ka kaluar”, i tha Reuters drejtori i kësaj shkolle duke refuzuar të komentojë për shkaqet e kësaj ngjarje të cilat aktualisht mbeten mister.
Të shtënat ndodhën në një shkollë e cila ka rreth 800 nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën dhe një staf prej 90 personash.