Nga Clare Fitzgerald “War History Online”
Ndihmësi 15-vjeçar në mensën e njërës nga anijet e NAAFI, heroizmi i të cilit ndihmoi në përfundimin më të shpejtë të Luftës së Dytë Botërore, është nderuar nga vendlindja e tij. Tomas Braun, ndihmoi në marrjen e librave me kode nga një U-boat, një nëndetëse gjermane, që po fundosej në vitin 1942.
Ato të dhëna i ndihmuan shumë kod-thyesit britanikë në Bletshli Park që po përpiqeshin të deshifronin sistemin gjerman të komunikimit sekret Enigma. Ajo arritje e shkurtoi më të paktën 1 vit konfliktin e përgjakshëm. Adoleshenti iu bashkua NAAFI – Institutit të Marinës, Ushtrisë dhe Forcave Ajrore në vitin 1941, duke gënjyer për moshën e tij për të nisur punë si ndihmës në mensën e destrojerit “HMS Petard” (G56).
Më 30 tetor 1942, anija së bashku me anijet e tjera “HMS Pakenham” (G06), “Hurworth” (L28) dhe “Hurworth“ (L63) dhe avionët nga skuadra nr.47 e Forcës Ajrore Mbretërore (RAF), po hetonin gjurmimin e radarit të një nëndeteseje gjermane në ujërat pranë Portit Said në Egjipt.
Për 10 orë, ato e vendosën nën presion, dhe nëndetësja armike U-559 doli në sipërfaqe. Ekuipazhi i anijes “HMS Petard” nisi ta gjuante me armët e tij. S’kaloi shumë kohë dhe ekuipazhi i U-559 u urdhërua të braktiste menjëherë nëndetësen, e cila kishte pësuar shumë dëmtime dhe po fundosej. “HMS Petard” dërgoi një barkë në nëndetësen që po fundosej.
Braun, Ejbëll Grezier dhe rreshter Frensis Fejzën hipën në nëndetëse ku gjetën dy libra të mbushur me kode:Libri i Sinjaleve të Shkurtra dhe Shifrat e Shkurtra mbi Motin. Kur u bë e qartë se U-559 ishte afër fundosjes së plotë, të tre u përpoqën të largohen.
Por Grezier dhe Fejzën nuk ia dolën. Në fillim, edhe Braun u bllokua në nëndetëse, por arriti të dilte në sipërfaqe në momentet e fundit. Për veprimet e tyre të guximshme, Fejzën dhe Grezier u nderuan pas vdekjes me titullin e Kryqit Xhorxh, ndërsa Braun mori medaljen Xhorxh, marrësi më i riu në historinë e Britanisë.
Doli se dokumentet kishin një vlerë të paçmuar për përpjekjet që po kryheshin në Bletshli Park për të deshifruar makinerinë gjermane të shifrimit Enigma, duke i dhënë mundësi kod-thyesve që të zbulonin çelësin “TRITON”, deri në atë moment të pathyeshëm.
Kryeministri britanik Uinston Çërçill i duartrokiti përpjekjet e ekuipazhit të “HMS Petard”, duke thënë se dokumentet që ata arritën të marrin ishin jetike për rezultatin e Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, Braun nuk mësoi asnjëherë mbi rëndësinë e tij në histori, pasi vdiq përpara se të de-klasifikohej informacioni mbi mënyrën sesi funksiononte Enigma.
Në vitin 1945, ndërsa ishte duke disa ditë më pushime nga puna në bordin e anijes “HMS Belfast”, humbi jetën duke u përpjekur të shpëtonte motrën e tij nga një zjarr që kishte shpërthyer në rezidencën e familjes. Ai u varros me nderime të plota ushtarake.
Në gushtin e vitit të kaluar, këshilli i qytetit Norh Tinsajd bëri një thirrje për publikun, duke kërkuar ndihmën e tyre në zgjedhjen e emrit të sheshit të ri publik të Nort Shillds nga një listë e vogël me 4 emra:Çarls Minto, Tomas Braun, Elen Li dhe Meri Masham. Banorët votuan në shumicë për Braun, që mori 2.149 nga 4.247 vota gjithsej.
Një memorial 2 metra i lartë prej graniti i porositur nga familja, u zbulua për nder të tij gjatë ceremonisë së zhvilluar 15 mars. Në mbishkrim thuhet:“Një memorial për Tomas Braun. Një djalë nga Nort Shillds, që ndihmoi në reduktimin e Luftës së Dytë Botërore, duke marrë librat e kodit Engima nga një nëndetëse gjermane që po fundosej”.
Dy nga shokët e anijes së Tomas u mbytën në operacionin e kryer nga “HMS Petard” gjatë tetorit të vitit 1942 në Detin Mesdhe. Tomasit iu dha Medalja Xhorxh, por ai vdiq para se ta merrte atë. Medalja iu dorëzua nënës së tij nga Mbreti Xhorxhi VI në vitin 1945.
Lidhur me këtë vendim, Lin Melvil, mbesa e Braun, u shpreh:“Kur midis të diskutohej për emërtimin e sheshit të qytetit, Tomas për ne ishte zgjedhja e vetme, dhe ne ishim të sigurt, edhe por të lehtësuar se vota ishte pro tij. Shumë njerëz në Nort Shillds, nuk e dinë ende historinë e tij dhe ne duam ta ndryshojmë këtë gjë.
Dy burrat e tjerë, togeri Fezon dhe Ejbëll Grezier kanë përmendore në qytetet e tyre të lindjes. Ndaj është e drejtë që edhe Tomas të mbahet mend në vendlindjen e tij për heroizmin që kreu. Kryebashkiaku i Nort Tinsajd, Deim Redfearn shtoi:“Ai është një djalë i ri, veprimet heroike të të cilit ndihmuan në shkurtimin e Luftës së Dytë Botërore.
Nuk mund ta themi me siguri se sa jetë njerëzish ka shpëtuar ai përmes trimërisë që tregoi në atë moment. Mund të jenë me mijëra. Është një privilegj i vërtetë ta zbulosh këtë memorial, dhe të emërtosh zyrtarisht sheshin e qytetit me emrin Tomas. Shpresojmë që kjo të ndihmojë në mbajtjen e gjallë të kujtimit të tij për brezat e ardhshëm, dhe t’u japë njerëzve në Nort Shillds një ndjenjë të vërtetë krenarie”.
Të nominuarit e tjerë janë nderuar në mënyra të veçanta në Nort Shillds. Li dhe Minto u përkujtuan me një pllakatë blu, ndërsa për ndër të Masham do të vendoset një skulpturë në Riversajd Embenkment Uokuej.