Pak ditë pas arrestimit të tij për tjetërsim pronash, Jorgo Goro ka shfaqur probleme shëndetësore. Mësohet se Goro, i cili njoftoi nga qelia, dorëheqjen si kryetari në detyrë i bashkisë Himarë, është shtruar në spitalin e burgut. Mësohet se Goro ka shfaqur probleme me zemrën dhe tensionin.
Jorgo Goro u arrestua të shtunën e kaluar teksa ndaj tij, rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një sipërfaqe në total prej 10592 m2, të cilat më pas iu shitën për investim strategjik Artan Gaçi, ish-deputet i PS dhe njëkohësisht bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka.
Ndërkohë në letrën e tij të dorëheqjes, Goro nuk pranoi akuzat e ngritura ndaj tij dhe u vetëshpall i pafajshëm.
Në letër, edhe pse nuk e përmendi me emër, Goro hodhi akuza ndaj kundërshtarit të tij politik në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, Fredi Belerit, i cili e mundi por edhe ai ndodhet pas hekurave, për korrupsion zgjedhor.
Riujtojmë se Goro u la në burg një ditë më parë nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, pas arrestimit më 23 mars.