Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 27-vjeçarin Albano Domi, pasi në biznesin e tij në Shijak ndodhi një shkëmbim zjarri para disa ditësh, gjatë të cilit u plagos 36-vjeçari Enidor Dedja, i cili nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Alban Domi u arrestua nga policia nën akuzën e kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa autori i dyshuar i plagosjes dhe një person tjetër që ndodhej me të janë ende në kërkim nga policia.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti mes të arrestuarit Alban Domi dhe 33-vjeçarit Xhejms Palodhi, për shkak se 27-vjeçari kishte ngacmuar një vajzë me të cilën kishte pasur më parë një lidhje dashurie.
I afërmi i vajzës, Palodhi ka udhëtuar së bashku me Arbër Hoxhën drejt dyqanit për aksesorë automjetesh, në pronësi të Domit, por në debat e sipër janë konfliktuar fizikisht me të.
Nga hetimet rezultoi se dhe pronari i dyqanit është kundërpërgjigjur me armë zjarri të llojit pistoletë, e cila u sekuestrua nga policia në cilësinë e provës.
Ndërkaq prej disa ditësh vijon puna për kapjen e Hoxhës dhe Palodhit që u larguan menjëherë pas ngjarjes me një automjet tip “Ford Fiesta”. Ndaj tyre janë ngritur paraprakisht akuzat për vrasje me dashje, mbetur në tentativë, dhe armëmbajtje pa leje.